Kryediplomati i Ukrainës e viziton Sirinë, premton ndihma ushqimore
Siria shpreson për “partneritete strategjike” me Ukrainën, i tha ministri i Jashtëm sirian homologut të tij ukrainas të hënën, përderisa Kievi po bën lëvizje për ndërtimin e lidhjeve me pushtetarët e rinj islamistë në Damask në kohën e zbehjes së ndikimit rus.
“Do të ketë partneritete strategjike mes nesh dhe Ukrainës në nivele politike, ekonomike dhe sociale, si dhe partneritete shkencore” - i tha kryediplomati i ri sirian, Asaad Hassan al-Shibani, homologut të tij ukrainas, Andii Sybiha.
“Sigurisht se populli sirian dhe populli ukrainas e kanë përvojën e njëjtë dhe vuajtjet e njëjta që ne i kemi duruar për 14 vjet” – shtoi ai, mësa duket duke ngritur një paralele mes luftës civile të Sirisë të periudhës 2011 – 2024 me marrjen e territorit ukrainas nga Rusia, që kulmoi me fillimin e pushtimit të plotë më 2022, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sybiha, i cili të hënën në Damask u takua edhe me udhëheqësin de fakto të vendit, Ahmed al-Sharaa, tha se Ukraina do të dërgojë më shumë dërgesa me ndihma ushqimore në Siri pas arritjes së pritur të 20 dërgesave me miell të martën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të premten e kaluar e njoftoi dërgesën e parë të Ukrainës me ndihma ushqimore për Sirinë, e përbërë nga 500 tonë miell gruri si pjesë e nismës humanitare “Drithë nga Ukraina”, në bashkëpunim me Programin Botëror të Ushqimit, agjenci e Kombeve të Bashkuara.
Ukraina, kultivuese dhe eksportuese globale e drithit dhe farave vajore, tradicionalisht eksporton grurë dhe misër në shtetet e Lindjes së Mesme, por jo në Siri, vend që gjatë periudhës së ish-presidentit Bashar al-Assad ka importuar ushqim nga Rusia.
Dërgesat ruse me grurë për në Siri janë pezulluar për shkak të paqartësisë rreth qeverisë së re në Damask dhe për shkak të vonesës së pagesave, i kishin thënë agjencisë “Reuters” në fillim të dhjetorit disa burime ruse e siriane.