Kryediplomati i Iranit: Kemi vetëm një gjë të përbashkët me Izraelin - NACIONALE

Kryediplomati i Iranit: Kemi vetëm një gjë të përbashkët me Izraelin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, tha të hënën se “e vetmja gjë që Irani e ka të përbashkët” me Izraelin është se asnjëri shtet nuk beson në zgjidhjen me dy shtete sa i përket konfliktit mes izraelitëve e palestinezëve. Ai bëri thirrje që të mbahet një referendum për të ardhmen e Izraelit dhe të Territoreve Palestineze.

Abdollahiani i tha gazetares Becky Anderson të televizionit CNN se Irani kërkon referendum që “të gjithë palestinezët origjinalë, përfshirë hebrenjtë, të krishterët e myslimanët” të vendosin për të ardhmen e Izraelit dhe të Territoreve Palestineze “nën një qeveri”. Ai nuk dha hollësi për këtë ide.

Ministri i fuqisë rajonale paralajmëroi se “një shpërthim i madh” do të mund ta shkaktonte përhapjen e luftës Izrael – Hamas në Lindje të Mesme “në çdo moment”, nëse dhuna në Gaza vazhdon.

Sipas tij, ky konflikt tashmë është duke tërhequr aktorë rajonalë, përfshirë rebelët Houthi në Jemen, ndërsa Hezbollahu i përkrahur nga Teherani ishte duke i vëzhguar me kujdes sulmet e Izraelit ndaj Gazës.

Kryediplomati iranian tha se vendi i tij u kishte treguar zyrtarëve amerikanë se nuk e mbështet përhapjen e luftës në rajon. Ai shtoi se përderisa Irani nuk kishte qenë i informuar për sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor, Teherani i sheh veprimet e këtij grupi si rezistencë legjitime.

Javëve të fundit ka pasur shtim të sulmeve me raketa nga rebelët Houthi që në shënjestër kishin anije tregtare që pretendohet se kishin lidhje me Izraelin e që lundronin në Detin e Kuq.

Ndërkohë, ushtria izraelite shkëmbeu përsëri zjarr të hënën me Hezbollahun në kufirin e vet me Libanin.

Së paku 94 persona janë vrarë dhe 406 të tjerë janë lënduar në Liban si rezultat i “agresionit izraelit kundër Libanit jugor” në periudhën mes 8 tetorit e 5 dhjetorit, tha të enjten Ministria e Shëndetit Publik e Libanit.

Lajme të ngjashme