Kryediplomati i Britanisë thotë se është “i tmerruar” nga skenat në Gaza
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, u pyet nga televizioni BBC se si ndihet, kur i sheh pamjet e skenave në Gaza. Ai tha: “Ndihem njësoj si publiku britanik: i tmerruar, i shokuar.”
“Këto nuk janë fjalë që përdoren zakonisht nga një sekretar i Jashtëm që po mundohet të jetë diplomatik, por kur shihni fëmijë të pafajshëm që e shtrijnë dorën për ushqim dhe i shihni duke u qëlluar e duke u vrarë në mënyrën që e kemi parë ditëve të fundit, natyrisht se Britania duhet ta njerrë në pah këtë” – tha numri një i diplomacisë britanike.
Më tej, ai tha se Britania “duhet ta marrë telefonin dhe duhet t’i bëjmë thirrje Izraelit për të menduar përsëri” dhe se Qeveria “do të vazhdojë që të bëjë presion, ne do të vazhdojmë që të veprojmë”.
Më herët në intervistë, Lammy u pyet nëse kishte pasur kontakte me Qeverinë e Izraelit që nga koha kur ajo lëshoi një deklaratë, duke u reaguar Britanisë dhe më shumë se 20 shteteve të tjera që e akuzuan Izraelin se po e lejonte hyrjen e ndihmave në Gaza vetëm pikë-pikë.
Sekretari britanik tha se nuk kishte pasur kontakte me Izraelin pas asaj kohe, por se kishte biseduar më herët me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, raporton televizioni BBC.
Britania dhe mbi 20 shtete të tjera i kritikuan Qeverinë dhe ushtrinë izraelite për sjellje “të papranueshme”, ndërsa Izraeli reagoi kundër deklaratës, duke e cilësuar “të shkëputur nga realiteti” e duke thënë se Hamasi është “pala e vetme përgjegjëse për vazhdimin e luftës dhe vuajtjeve te të dyja palët”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se objektet e saj janë sulmuar në qytetin Deir al-Balah të Gazës. Izraeli nuk ka reaguar ende ndaj këtij pretendimi, ndërsa vazhdojnë të shtohen raportimet për njerëz që po vdesin nga uria./Nacionale