Kroacia e miraton ligjin kundër simboleve çetnike - NACIONALE

Kroacia e miraton ligjin kundër simboleve çetnike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Frazat si “në tokën serbe” dhe “vdiq për Krajinën serbe” nuk do të lejohen më në monumente në Kroaci, ndërsa monumentet që kanë përshkrime të tilla dhe që janë vendosur pas majit të vitit 1990 duhet të largohen.

Me ligjin e ri për varrezat ndalohen përshkrimet dhe monumentet që “i madhërojnë agresionin kundër Kroacisë ose rebelimin e armatosur kundër Kroacisë” gjatë Luftës për Atdhe në vitet e nëntëdhjeta, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Historiani kroat, Dragan Markovina, tha: “Ky ligj është i motivuar pastër në aspektin nacionalist që u miratua me këmbënguljen e Lëvizjes Atdheu vetëm pse atyre u pengojnë simbolet nacionaliste serbe në disa varre.”

Sipas tij, në këtë ligj “nuk përfshihet fare simboli Ustasha në varreza”, duke theksuar se Milorad Pupovaci kishte të drejtë që e tërhoqi vëmendjen te kjo gjë.

Deputetët e Partisë së Pavarur Demokratike Serbe (SDSS), të udhëhequr nga Pupovaci, u larguan nga debati në të cilin kishin hyrë në polemikë me Lëvizjen Atdheu.

Lëvizja Atdheu është partner i Unionit Demokratik Kroat të kryeministrit Andrej Plenkoviq.

Ministria e Planifikimit Fizik, Ndërtimit dhe Pronave Shtetërore i tha Radios “Evropa e Lirë” se është e mundshme që të hiqen monumentet që bien ndesh me vlerat më të larta të rendit kushtetues ose rregulloreve të Kroacisë.

Në përgjigje thuhet se vendimet për secilën varrezë dhe memorial do të merren përmes procedurave të ndara administrative.

Sipas kësaj ministrie, nuk është i vërtetë pretendimi se do të hiqen vetëm monumentet që kanë mbishtrime në alfabetin cirilik.

Lajme të ngjashme