Krerët e OKB-së i dënojnë vrasjet masive “tmerruese” në Sudan
Diplomatë e figura të larta të Kombeve të Bashkuara që folën në Këshillin e Sigurimit i kanë dënuar vrasjet masive nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në qytetin El Fasher, pasi ky vendbanim “u katandis në një ferr edhe më të errët” pas rënies në duart e grupit paramilitar në fundjavë.
Raportime të gjera për vrasje të shënjestruara etnike ditëve të fundit e nxitën Britaninë e Madhe, vend përgjegjës në OKB për zhvillimet në Sudan, që të thërriste seancë urgjente të enjten në Këshillin e Sigurimit, raporton gazeta “The Guardian”.
“Situata është thjesht tmerruese” –tha Martha Ama Akyaa Pobee, asistente e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Afrikën. “Në javën e fundit, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka dokumentuar shkelje serioze dhe të gjera të të drejtave të njeriut në El Fasher dhe përreth tij. Këtu përfshihen raporte të besueshme për vrasje masive në lokacione të ndryshme dhe vrasje jashtëgjyqësore gjatë kërkimeve shtëpi më shtëpi dhe përderisa civilët po mundoheshin të iknin nga qyteti” – tha ajo.
“Komunikimet janë ndërprerë. Situata është kaotike. Në këtë kontekst, është vështirë që të vlerësohet numri i civilëve të vrarë. Pavarësisht nga zotimet për t’i mbrojtur civilët, realiteti është se askush nuk është i sigurt në El Fasher. Nuk ka kalim të sigurt për civilët që të largohet nga qyteti” – shtoi zonja Pobee.
Tom Fletcher, nënsekretar i përgjithshëm për çështje humanitare dhe koordinator për lehtësim emergjent, në takim tha: “El Fasheri, tashmë skenë e niveleve katastrofale të vuajtjes njerëzore, është katandisur në një ferr edhe më të errët”.
Seanca e OKB-së me gjasë nuk ishte ngjarje që u solli rehati Emirateve të Bashkuara Arabe, mbështetëse e jashtme kyçe e RSF-së.
Gazeta “The Guardian” raportoi të martën se pajisje ushtarake britanike të përdorura nga RSF-ja janë gjetur në fushëbeteja në Sudan, sipas dokumenteve që i ka parë Këshilli i Sigurimit.