Kremlini thotë se Trumpi e Putini i besojnë dhe e kuptojnë mirë njëri-tjetrin
Kremlini tha të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Ptin, dhe homologu amerikan, Donald Trump, kanë raport të mirë dhe janë të vendosur për rikthimin e lidhjeve shumë të dëmtuara ShBA – Rusi hap pas hapi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, foli pas bisedës telefonike mes dy presidentëve të martën dhe pasi Putini u pajtua për ndërprerjen e përkohshme të sulmeve ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, por refuzoi të mbështeste një armëpushim të plotë 30-ditor, për të cilin Trumpi shpresonte se do të ishte hapi i parë drejt një pakti për paqe të përhershme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Mund të them me një shkallë të lartë të besimit se presidentët Putin e Trump e kuptojnë mirë njëri-tjetrin, i besojnë njëri-tjetrit dhe synojnë që të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve ruso-amerikane hap pas hapi” – tha Peskovi.
Ai tha se për një kohë të gjatë kishte ekzistuar një linjë e drejtpërdrejtë telefonike mes presidentëve të të dyja vendeve si dhe një video-lidhje, kur ka qenë e nevojshme, por se ajo zor se ishte përdorur gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Biden. Sipas Peskovit, Putini shpreson që kjo linjë tani do të mund të përdoret më shpesh.
“Natyrisht, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë shtete shumë të mëdha dhe shumë është prishur gjatë administratave të kaluara amerikane” – tha zëdhënësi i Kremlinit.
“Prandaj, natyrisht, do të marrë kohë dhe mund, me mbështetjen e vullnetit të të dy presidentëve, që të rivendosen këto marrëdhënie, por, tani për tani, ky vullnet i fortë i dy presidentëve është ndoshta garancia më e mirë se secili do ta ndjekë këtë rrugë” – shtoi Peskovi.
Sipas tij, për datat dhe formatin e saktë të rundit të ardhshëm të kontakteve ShBA – Rusi do të arrihet pajtueshmëri të mërkurën dhe të enjten./Nacionale