Kremlini thotë se s’ka bazë për bisedime të paqes me Ukrainën, e fajëson Britaninë
Kremlini tha të mërkurën se aktualisht nuk ka bazë për bisedime mes Rusisë e Ukrainës dhe se plani i propozuar nga Kievi për paqe është absurd, sepse e përjashton Rusinë.
“Ne vërtet konsiderojmë se tema e bisedimeve nuk është e përshtatshme tash për tash”- tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton agjencia “Reuters”.
Ai shtoi se Britania i kishte fundosur gjasat për një marrëveshje të paqes vitin e kaluar duke i bërë trysni Kievit për të refuzuar një draft-marrëveshje pak pas dërgimit të trupave ruse në Ukrainë.
“Pas asaj, nuk kishte parakushte për bisedime – dhe pati edhe më pak parakushte, pasi Ukraina në të vërtetë me ligj ndaloi çfarëdo bisedimi me palën ruse”- tha më tej zëdhënësi i Kremlinit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi një dekret në tetor të vitit të kaluar, me të cilin e shpalli formalisht mundësinë e ndonjë bisedimi me homologun rus, Vladimir Putin, si “të pamundshme”, pasi Rusia kishte pretenduar se kishte aneksuar katër rajone në jug e lindje të Ukrainës.
Peskovi tha se plani i Zelenskyt për paqe, i njohur si “formula e paqes”, është me të meta, sepse, sipas zëdhënësit rus, me të synohet që të arrihet paqja pa pjesëmarrjen e Rusisë.
“Thënë më së paku, ky është proces absurd”- tha zëdhënësi i Kremlinit.
Në planin 10-pikësh të Zelenskyt bëhet thirrje për tërheqjen e trupave ruse dhe ndërprerjen e armiqësive e rikthimin e kufirit shtetëror të Ukrainës me Rusinë.