Kremlini thotë se Rusia e ShBA-ja po e studiojnë rezultatin e bisedimeve rreth Ukrainës në Riad - NACIONALE

Kremlini thotë se Rusia e ShBA-ja po e studiojnë rezultatin e bisedimeve rreth Ukrainës në Riad

1 vit më parë

nga NACIONALE

Moska e Uashingtoni po e analizojnë rezultatin e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë në Arabinë Saudite, tha Kremlini të martën, por nuk dha hollësi të diskutimeve për të cilat të dyja palët thanë se ishin të përqendruara në një armëpushim të mundshëm në det mes Rusisë e Ukrainës.

Delegacionet nga ShBA-ja e Rusia u takuan të hënën në Riad, ndërsa transmetuesi publik ukrainas “Suspilne” citoi një burim të ketë thënë se zyrtarë amerikanë e ukrainas do të takohen të martën në Arabinë Saudite, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se delegacioni rus e ai amerikan, të cilët ishin duke e shqyrtuar zbatueshmërinë e një lloji të marrëveshjes për sigurinë e anijeve në Detin e Zi dhe çështje të tjera, i kanë raportuar rezultatet në kryeqytetet e tyre.

“Po e shihni, po flasim për bisedime teknike që hyjnë thellë në hollësi. Prandaj, natyrisht, përmbajtja e këtyre bisedimeve përfundimisht nuk do të publikohet. Kjo nuk duhet të pritet” – tha Peskovi.

“Së dyti, po përsëris edhe një herë, raportet që janë kthyer në kryeqytete tani janë duke u analizuar. Vetëm atëherë do të jetë e mundshme që të flitet për disa mirëkuptime” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit.

Sipas tij, nuk është biseduar për mundësinë e një takimi trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë e Ukrainës.

Peskovi tha, gjithashtu, se nuk ka plane të menjëhershme për bisedë të re mes presidentëve Vladimir Putin të Rusisë e Donald Trump të ShBA-së, por se një bisedë e tillë do të mund të organizohej shpejt, nëse do të ishte e nevojshme./Nacionale

Lajme të ngjashme