Kremlini thotë se Putini është njoftuar rreth propozimeve të ShBA-së për planin e paqes në Ukrainë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është njoftuar rreth kontakteve me emisarët e homologut amerikan, Donald Trump, në lidhje me propozimet e Uashingtonit për një marrëveshjeje të mundshme të paqes me Ukrainën dhe Moska tani do ta formulojë poziconin e vet, tha Kremlini të mërkurën.
Trumpi, i cili thotë se dëshiron që të mbahet mend si paqebërës, është ankuar vazhdimisht se përfundimi i luftës në Ukrainë – më vdekjeprurësja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ka qenë qëllimi më i vështirë i politikës së jashtme në presidencën e tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se emisari rus, Kirill Dmitriev, e ka njoftuar Putinin rreth vizitës në Miami të ShBA-së dhe për kontaktet me të dërguarit e Trumpit.
Megjithatë, Peskovi refuzoi që të fliste rreth reagimit të Rusisë ndaj propozimeve ose ta tregonte formatin e dokumenteve, duke thënë se Kremlini nuk do të komunikojë përmes mediave.
“Të gjithë parametrat kryesorë të pozicionit të palës ruse janë të njohur mirë nga kolefët tanë nga Shtetet e Bashkuara” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit.
“Tani ne kemi ndër mend që ta formulojmë pozicionin tonë mbi bazën e informative që pranohen nga kreu i shtetit dhe t’i vazhdojmë kontaktet tona në të ardhmen shumë të afërt përmes kanaleve ekzistuese që tani për tani janë duke funksionuar” – shtoi ai.
Putini ka thënë në javët e fundit se kushtet e tij për paqe janë që Ukraina të dorëzojë rreth 5 mijë kilometra katror të Donbasit që i ka ende nën kontroll dhe që Kievi duhet të heqë dorë zyrtarisht nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO.