Kremlini thotë se nga rrethi i Trumpit po dëgjohet fjala “paqe”, nga administrata e Bidenit jo
Kremlini tha të hënën se ka vërejtur që rrethi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, është duke folur për një plan të mundshëm të paqes për Ukrainën, ndërsa administrata e tanishme e presidentit Joe Biden jo dhe po synon që ta përshkallëzojë konfliktin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto komente, pasi iu kërkua që ta komentonte intervistën e së dielës të të nominuarit të Trumpit për këshilltar për siguri kombëtare, Mike Waltz, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Waltz-i tha se Trumpi kishte qenë “shumë i shqetësuar” për një përshkallëzim në luftime mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se lufta duhet të sillet te një “fund i përgjegjshëm”.
Peskovi tha se Kremlini u ka kushtuar vëmendje komenteve dhe se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte sinjalizuar në mënyrë të përsëritur që Moska ishte e gatshme për dialog rreth Ukrainës.
“Vërtet, nga rrethi i përkrahësve të Trumpit dhe atyre që janë nominuar për pozita në të ardhmen në administratën e ardhshme, fjalët “paqe” ose “plan i paqes” po dëgjohen”- tha zëdhënësi i Kremlinit, kur u pyet për komentet e Waltz-it.
“Asnjë fjalë e tillë nuk po dëgjohet nga administrata e tanishme [e Bidenit], ndërsa vazhdojnë veprimet provokuese përshkallëzuese. Ky është realiteti me të cilin ballafaqohemi ne” – shtoi ai.
Në qershor të këtij viti, Putini kishte paraqitur disa kushte për paqe në Ukrainë, përfshirë heqjen dorë të Kievit për anëtarësim në NATO dhe dorëzimin e katër provincave që Moska pretendon se i ka aneksuar.
Rusia thotë se këto kushte e pasqyrojnë realitetin në fushën e betejës, ku forcat ruse kanë qenë duke avancuar, por Ukraina thotë se kushte të tilla do të përbënin kapitullim të papranueshëm për Kievin./Nacionale