Kremlini thotë se lufta në Ukrainë do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat e Putinit
Kremlini tha të martën se lufta në Ukrainë do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet e caktuara nga presidenti rus, Vladimir Putin, qoftë përmes veprimeve ushtarake, qoftë përmes bisedimeve.
Putini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambicia e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe që të tërhiqet plotësisht nga katër rajonet e vendit që Rusia pretendon se i ka aneksuar – kushte që Kievi i ka refuzuar dhe i cilëson si dorëzim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Operacioni special ushtarak do të përfundojë, kur të jenë arritur të gjitha objektivat e vendosura nga presidenti dhe komandanti suprem” – u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke e përdorur termin e Moskës për luftën në Ukrainë.
“Këto qëllime mund të arrihen si rezultat i operacionit special ushtarak ose si rezultat i bisedimeve përkatëse” – shtoi ai.
Më tej, Peskovi tha se tani për tani nuk janë duke u zhvilluar bisedime mes Moskës e Kievit, sepse “pala ukrainase refuzon çfarëdo negociate”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të hënën e mbrojti konceptin e një zgjidhjeje diplomatike për luftën dhe e ngriti idenë e dislokimit të trupave të huaja në Ukrainë derisa vendi të anëtarësohet në NATO.