Kremlini thotë se konferenca e Zvicrës për Ukrainën do të jetë e kotë - NACIONALE

Kremlini thotë se konferenca e Zvicrës për Ukrainën do të jetë e kotë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kremlini ka thënë se një samit i planifikuar, për të cilin Zvicra shpreson se do t’i hapë rrugë një procesi të paqes, do të jetë i kotë pa pjesëmarrjen e Rusisë.

“Pa Rusinë, diskutimi i garancive të sigurisë që na shqetësojnë ne është absolutisht i kotë” – i tha gazetës ruse “Izvestia” zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Sipas të gjitha gjasave, do të jetë skolastikë boshe pa perspektivë për të marrë të paktën disa rezultate të prekshme” – shtoi ai, raporton agjencia “Reuters”.

Rusia më parë ka thënë se nuk e sheh qëllimin e një konference që po planifikohet nga Zvicra për të diskutuar se si t’i jepet fund konfliktit në Ukrainë dhe në të cilin Moska tash për tash nuk është ftuar.

Zvicra tha të mërkurën se më shumë se 50 shtete janë paraqitur për të marrë pjesë në samitin që do të mbahet më 15 dhe 16 qershor afër qytetit Lucern.

Shteti evropian ende është duke u munduar që të bindë më shumë vende për të marrë pjesë në samit, përfshirë Kinën dhe shtetet e Hemisferës Jugore.

“Një qasje e baraspeshuar nga Kina mund t’i japë dinjitet secilës konferencë, nga këndvështrimi ynë, por kjo nuk do t’ia shtojë efikasitetin kësaj ngjarjeje specifike” – tha Peskovi.

Disa shtete të Amerikës Jugore, Afrikës dhe Lindjes së Mesme e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në samit, sipas presidentes së Zvicrës, Viola Ahmherd, e cila në janar u pajtua për ta organizuar konferencën pas kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Lajme të ngjashme