Kremlini reagon kundër deklaratës së Bidenit, i cili e krahasoi Rusinë me Hamasin - NACIONALE

Kremlini reagon kundër deklaratës së Bidenit, i cili e krahasoi Rusinë me Hamasin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kremlini e ka dënuar fjalimin e presidentit amerikan, Joe Biden, në të cilin ai e krahasoi Rusinë me Hamasin, ndërsa homologun rus, Vladimir Putin, e quajti tiran.

“Ne nuk pranojmë ton të tillë në lidhje me Federatën Ruse, në lidhje me presidentin tonë”- u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Në një fjalim nga Zyra Ovale të enjten, presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë prapa Izraelit dhe Ukrainës përballë Rusisë e Hamasit, që po mundohen “të asgjësojnë tërësisht një demokraci fqinje”, raporton gazeta “Times of Israel”.

“Ne nuk mundemi dhe nuk do t’i lejojmë terroristët si Hamasi e tiranët si Putini që të fitojnë. Unë refuzoj që ta lejoj këtë të ndodhë”- shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Në një bisedë me gazetarë, Peskovi tha se “retorika e tillë është zor e përshtatshme për udhëheqës të përgjegjshëm shtetesh dhe zor se mund të pranohet nga ne.”

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta “kufizuar” Rusinë do të dalin joefikase.

Para disa ditëve, Putini pretendoi se shpërthimi i konfliktit mes Izraelit e Hamasit është shembull i gjallë se politika e Shteteve të Bashkuara në Lindje të Mesme ka dështuar.

Lajme të ngjashme