Kremlini pret që Rusia e Ukraina në Stamboll t’i diskutojnë kushtet e armëpushimit
Kremlini pret që Rusia dhe Ukraina ta diskutojnë listën e kushteve për armëpushim në luftën në Ukrainë javën e ardhshme në Stamboll, tha të premten zëdhënësi Dmitry Peskov, duke e çmuar rolin e Shteteve të Bashkuara në ndërmjetësimin e bisedimeve.
Rusia ka propozuar që rundi i dytë i bisedimeve me Ukrainën në Stamboll të mbahet më 2 qershor. Megjithatë, Kevi dëshiron që t’i shohë propozimet e Rusisë për marrëveshjen e paqes para se ta dërgojë delegacionin në Turqi, tha të premten kryediplomati ukrainas, Andrii Sybiha.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se delegacioni rus do të udhëtojë në Stamboll dhe do të jetë i gatshëm për bisedime me Ukrainën të hënën në mëngjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Për momentin, të gjithë janë të përqendruar te bisedimet e drejtpërdrejta Rusi – Ukrainë. Një listë e kushteve për një armëpushim të përkohshëm është duke u zhvilluar” – u tha Peskovi gazetarëve. Ai shtoi se hollësitë e memorandumit nuk do të publikohen.
Agjencia “Reuters” më herët këtë javë raportoi se kushtet e Putinit për përfundimin e luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që udhëheqësit perëndimorë të zotohen me shkrim për ta ndërprerë zgjerimin e NATO-s në lindje.
Emisari i presidentit Donald Trump të ShBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, tha më herët të premten se shqetësimi i Rusisë për zgjerimin e NATO-s në lindje është i drejtë dhe se Shtetet e Bashkuara nuk duan ta shohin Ukrainën në aleancën më të fuqishme ushtarake.
Duke e komentuar deklaratën e emisarit amerikan, Peskovi tha se presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdimisht e ka paraqitur pozicionin e Rusisë rreth papranueshmërisë së zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.
“Ne jemi të kënaqur që këto shpjegime nga presidenti po kuptohen, përfshirë Uashingtonin dhe, natyrisht, kjo është mjaft tërheqëse për ne në aspektin e rolit ndërmjetësues që Uashingtoni vazhdon ta luajë” – tha zëdhënësi i Kremlinit./Nacionale