Kremlini për “planin e fitores” të Zelenskyt: Ukrainës duhet t’i dalë pija
Kremlini tha të mërkurën se ishte shumë herët për ta komentuar në hollësi “planin e fitores” të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, por se Kievit duhet “t’i dalë pija” dhe ta kuptojë kotësinë e politikave që është duke i ndjekur.
Zelensky të mërkurën e paraqiti “planin e fitores” me pesë pika, i cili sipas tij bën thirrje për ftesë të pakusht për Ukrainën që të anëtarësohet në NATO dhe përfshin një pako parandaluese strategjike jo-bërthamore për Ukrainën, mes tjerash, raporton agjencia “Reuters”.
Duke iu drejtuar deputetëve ukrainas, Zelensky tha se mund të jetë e mundshme që t’i jepet fund konfliktit me Rusinë jo më vonë se vitin e ardhshëm, nëse plani i tij zbatohet tani.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se plani ukrainas ndoshta është plan “i kamufluar” i Shteteve të Bashkuara, i cili, sipas tij, ka të bëjë me shfrytëzimin e Ukrainës për të luftuar kundër Rusisë “deri në ukrainasin e fundit”.
“Por mund të jetë një plan tjetër atje, që do të mund të ishte vërtet paqësor, që është që regjimi i Kievit ta kuptojë kotësinë e politikave që ata janë duke i ndjekur dhe ta kuptojnë nevojën për t’u zhdehur dhe për t’i kuptuar shkaktarët që çuan në këtë konflikt” – tha Peskovi.