Kremlini paralajmëron kundër konfiskimit të aseteve: Rusisht e quajmë thjesht “vjedhje”
Kremlini i paralajmëroi udhëheqësit evropianë të mërkurën se Rusia do të ndjekë secilin individ ose shtet që vjedh paratë e saj dhe paralajmëroi se vjedhja e aseteve ruse do t’u kthehej keqas bumerang depozitave dhe investimeve evropiane.
Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar një propozim për shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse në Evropë për të financuar një hua prej 140 miliardë eurosh për Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekzistojnë rreth 300 miliardë euro vlerë në asetet e ngrira ruse, 210 miliardë prej të cilave janë duke u mbajtur në Evropë. Prej tyre, 185 miliardë euro ndodhen në depozitën me bazë në Bruksel, “Euroclear”.
“Po flasim për plane për konfiskimin e paligjshëm të pronës ruse. Në rusishte, ne e quajmë këtë thjesht vjedhje” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai shtoi se nëse ndokush vjedh ose përvetëson aste ruse – ose të ardhurat nga ato asete – atëherë “personat e përfshirë do të ndiqen penalisht në një mënyrë ose një tjetër, ata do të mbahen përgjegjës”.
Peskovi paralajmëroi se penalisht do të ndiqeshin edhe shtetet që veprojnë në këtë mënyrë.