Krahas paqes në Ukrainë, zyrtarët amerikanë e rusë diskutuan edhe për pakte të energjisë
Zyrtarë qeveritarë të ShBA-së e Rusisë diskutuan disa marrëveshje të energjisë në margjina të bisedimeve këtë muaj që në qendër e kishin arritjen e paqes në Ukrainë, sipas pesë burimeve të afërta me negociatat.
Këto marrëveshje u çuan përpara si masa nxitëse për ta inkurajuar Kremlinin që të pajtohej për paqe në Ukrainë dhe që Uashingtoni t’ia lehtësojë sanksionet Rusisë, thanë këto burime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rusia është izoluar nga shumica e investimeve ndërkombëtare në sektorin e energjisë dhe nga arritja e marrëveshjeve të mëdha për shkak të sanksioneve pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022.
Zyrtarët e diskutuan mundësinë që kompania “Exxon Mobil” të rifutet në projektin rus të gazit dhe naftës, “Sakhalin-1”, thanë tri prej burimeve.
Ata gjithashtu e ngritën mundësinë e blerjes së pajisjeve amerikane nga Rusia për projektet e saj rreth gazit natyror të lëngëzuar, si “Arctic LNG 2”, i cili është nën sanksione perëndimore, thanë katër burime.
Një ide tjetër ishte që Shtetet e Bashkuara të blejnë anije akullthyese me energji bërthamore nga Rusia, kishte raportuar agjencia “Reuters” më 15 gusht.
Bisedimet u zhvilluan gjatë vizitës së emisarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në Moskë më herët këtë muaj, kur u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe emisarin e tij për investime, Kirill Dmitriev, thanë tri prej burimeve. Këto ide gjithashtu u diskutuan brenda Shtëpisë së Bardhë me presidentin Donald Trump, thanë dy prej burimeve.
Këto marrëveshje gjithashtu u diskutuan shkurt në samitin e Alaskës më 15 gusht, tha njëri nga burimet./Nacionale