Kostoja e lartë e fitoreve në Ukrainë mund ta kufizojë avancimin e ri të rusëve
Pas më shumë se katër muajve me luftime të ashpra, Rusia shpalli një fitore kyçe: kontrollin e plotë të njërës nga dy provincat e pjesës lindore të Ukrainës.
Associated Press
Por shpartallimi i mburojës së fundit të rezistencës Ukrainase në provincën e Luhanskut u arrit me një çmim të lartë. Pyetja kritike tash është nëse Rusia mund të grumbullojë fuqi të mjaftueshme për një ofensivë të re që ta marrë tërë Donbasin dhe që të shënojë përparim në pjesë të tjera të Ukrainës.
“Po, rusët e kanë marrë rajonin e Luhanskut, por me çfarë çmimi”, pyeti Oleh Zhdanov, analist ushtarak nga Ukraina, duke theksuar se disa njësite ruse, të përfshira në këtë betejë, e kanë humbur pothuajse gjysmën e ushtarëve.
Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi të hënën se trupat ruse, të përfshira në aksionet në Luhansk, duhet “të marrin pak pushim dhe ta fuqizojnë aftësinë e tyre luftarake”.
Kjo ngre dyshime për atë nëse forcat e Moskës dhe aleatët e tyre separatist janë të gatshëm që të futen më thellë në Donetks, provinca tjetër e rajonit të Donbasit. Vëzhguesit vlerësuan në javët e fundit se Rusia e ka nën kontroll rreth gjysmën e Donetskut dhe vijat e betejës kanë ndryshuar pak prej asaj kohe.
Ajo që ndodh në Donbas mund ta përcaktojë rrjedhën e luftës. Nëse Rusia arrin sukses, atje, mund t’i lirojë forcat për të marrë edhe më shumë territor dhe t’i diktojë kushtet e ndonjë marrëveshjeje të paqes. Nëse Ukraina, në anën tjetër, arrin që t’i kufizojë rusët për një periudhë të zgjatur, do të mund t’i ndërtonte burimet për një kundërsulm.
Rraskapitja e rusëve ka qenë për kohë të gjatë pjesë e planit të ukrainasve, që luftën e filluan në disavantazh sa i përket armatimit, por shpresuan se armët perëndimore do t’i kthenin gjasat në anën e tyre.
Ukrainasit tashmë po i përdorin në mënyrë efektive obusët dhe sistemet e avancuara raketore, të dërguara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë dhe më shumë armë janë rrugës për në Ukrainë, por ushtria ukrainase thotë se mbetet keqas në disavantazh.
Ministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha rishtazi se forcat ruse po përdorin dhjetë herë më shumë municion se ushtria ukrainase.
Fuqia e kufizuar njerëzor i ka detyruar komandantët rusë që t’i shmangin përpjekjet ambicioze për të rrethuar zona të mëdha në Donbas, duke zgjedhur manovra më të vogla dhe duke u mbështetur tek artileria e rëndë për t’i detyruar ngadalë ukrainasit që të tërhiqen.
Ushtria ruse gjithashtu është mbështetur shumë te separatistët, të cilët kanë kryer disa runde të mobilizimit, ndërsa zyrtarët perëndimorë dhe analistët kanë thënë se Moska ka angazhuar gjithnjë e më shumë edhe kontraktorë privatë ushtarakë./Nacionale