Kostoja e fshehur e luftës për Izraelin: Gati tre mijë ushtarë të plagosur
Igor Tudoran kaloi vetëm 12 orë brenda Rripit të Gazës para se një raketë të binte në tankun e tij, duke e lënë me një lëndim që ia ka ndryshuar jetën.
“Tashmë brenda tankut, kuptova nga gjendja e këmbës sime se do ta humbja atë, por pyetja ishte se sa prej saj do të humbja”- tha ai, i ulur në shtratin e spitalit ku ka qenë duka u trajtuar që nga koha e plagosjes, muajin e kaluar, raporton agjencia “Associated Press”.
Igori, 27 vjeç, rezervist që ishte paraqitur vullnetar për të luftuar pas sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit nga Hamasi, e humbi këmbën e tij të djathtë nën ijë. Ai ka mbajtur qëndrim pozitiv, por pranon se shpresa për t’u bërë elektricist mund të mos jetë më e mundshme.
Ai është pjesë e një numri në rritje të luftëtarëve të plagosur izraelitë, segment tjetër i madh e thellësisht i traumatizuar i shoqërisë izraelite, vështirësitë e të cilëve po shfaqen si kosto e fshehur e luftës, që do të ndihet viteve të ardhshme. Duke e marrë parasysh numrin e madh të të plagosurve, mbrojtësit e tyre brengosen se vendi nuk është i përgatitur për t’i adresuar nevojat e tyre.
“Kurrë nuk kam parë fushëveprim si ky dhe intensitet si ky”- tha Edan Leiman, udhëheqës i Organizatës së Veteranëve me Aftësi të Kufizuara, që i mbron të drejtat e më shumë se 50 mijë ushtarëve të plagosur në këtë luftë e në konflikte të mëparshme. “Ne duhet t’i rehabilitojmë këta njerëz”- tha ai.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit thotë se rreth tre mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë janë plagosur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, kur u vranë 1.200 njerëz, shumica civilë, e u morën peng 240 të tjerë. Gati 900 nga ky grup janë ushtarë të plagosur nga fillimi i ofensivës tokësore të Izraelit në Gaza në fund të tetorit, gjatë së cilës trupat janë përfshirë në luftime të afërta me militantët e Hamasit. Më shumë se 160 ushtarë janë vrarë nga fillimi i ofensivës tokësore.
“Ata shtohen”- tha Yagil Levy, që ligjëron për marrëdhënie civile e ushtarake në Universitetin Open të Izraelit, duke iu referuar të plagosurve. “Mund të jetë një ndikim afatgjatë, nëse shohim shkallë të lartë të njerëzve me aftësi të kufizuara që Izraeli duhet t’i rehabilitojë, gjë që mund të prodhojë probleme ekonomike si dhe probleme sociale”- shtoi ai.
Në shtetin ku shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e hebrenjve, fati i ushtarëve është temë e ndjeshme dhe emocionale.
Lufta ka sjellë vuajtje të pashembullt edhe për palestinezët në Gaza, ku raportohet për mbi 21 mijë të vrarë, afro 55 mijë të plagosur e ku amputimet janë bërë të zakonshme. Shumica e popullsisë së enklavës së vogël është shpërngulur.