Koreja Veriore thotë se i ka dështuar lëshimi i satelitit, por do të provojë përsëri
Përpjekja e dytë e Koresë Veriore për të lëshuar një satelit spiun në orbitë dështoi të enjten, pasi një pjesë e raketës bati problem në fazën e tretë, raportuan mediat shtetërore. Autoritetet për hulumtimin e hapësirës u zotuan se do të provojnë përsëri në tetor.
Në maj, Koreja Veriore dështoi në përpjekjen e parë për lëshimin e satelitit, pasi raketa “Chollima-1” ra në det, raporton agjencia “Reuters”.
Shteti me armë bërthamore ka synuar që ta vendosë atë që do të ishte sateliti i parë spiun ushtarak në orbitë, duke thënë se planifikon që të ketë një flotë satelitësh për t’i vëzhguar trupat e Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë Jugore.
Ushtria e Koresë Jugore tha se e përcolli fluturimin e raketës që nga fillimi dhe konkludoi se procesi ishte dështim, duke shtuar se ishte duke u munduar që të gjente dhe të nxirrte ndonjë mbetje.
Nisja e raketës me satelit nga Koreja Veriore nxiti paralajmërim urgjent në Japoni pak para orës 4 të mëngjesit, duke u kërkuar banorëve të prefekturës Okinawa që të strehoheshin në vende të sigurta.
Rreth 20 minuta pas paralajmërimit, Qevria e Japonisë publikoi një njoftim që raketa kishte kaluar dhe e shfuqizoi paralajmërimin urgjent.
Në një konferencë për gazetarë, sekretari i kabinetit qeveritar në Japoni, Hirokazu Matsuno, tha se hedhjet e përsëritura të raketave janë kërcënim për sigurinë rajonale.
“Ne do të protestojmë fuqishëm kundër Koresë Veriore dhe e dënojmë këtë në termat më të fuqishëm të mundshëm”- tha ai.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë Jugore e dënoi hedhjen e raketës, duke e cilësuar provokim dhe shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e ndalojnë përdorimin e teknologjisë së raketave balistike nga Koreja Veriore.
