Koreja Veriore teston një armë të re që "do të rrisë kapacitetet bërthamore" - NACIONALE

Koreja Veriore teston një armë të re që "do të rrisë kapacitetet bërthamore"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vëzhguar testimin e një “lloji të ri të armëve të dirigjuara taktike” që synon të rrisë kapacitetet bërthamore të vendit, bëjnë të ditur mediat e Koresë Veriore.

Ky raportim vjen ndërsa Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Pheniani mund të rifillojë së shpejti testimin bërthamor dhe pasi Kim theu një moratorium të vetë-imponuar për testimin e raketave balistike ndërkontinentale (ICBM) me një testim muajin e kaluar.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve ka thënë se testimi i fundit i armëve "ka një rëndësi të madhe në përmirësimin drastik të fuqisë së njësive të artilerisë me rreze të gjatë veprimi dhe në rritjen e efikasitetit në funksionimin e armëve taktike".

Mediat koreane nuk kanë dhënë detaje se kur u zhvillua testimi, e as specifika për raketën e testuar.

Kim, i cili drejtoi testin, "ka dhënë udhëzime të rëndësishme për ndërtimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe atyre luftarake bërthamore të vendit", shkruajnë mediat e Koresë Veriore.

Fotot e realizuara nga gazeta Rodong Sinmun tregojnë Kimin duke buzëqeshur - i rrethuar nga zyrtarë me uniformë - duke duartrokitur ndërsa shikonte atë që thuhet se ishte testimi i armës ë re.

Ushtria e Koresë së Jugut ka konfirmuar testimin e armëve, duke thënë se herët të dielën kishte zbuluar dy predha të lëshuara nga bregu lindor i veriut drejt detit.

Predha fluturoi rreth 110 kilometra me një apogje prej 25 km dhe një shpejtësi maksimale nën 4 Mach, thuhet më tej në njoftimin e ushtrisë.

Lajme të ngjashme