Koreja Veriore e ndryshon mënyrën e trajtimit të raporteve me Jugun, shihet si kërcënim
Koreja Veriore është duke e ndryshuar mënyrën e trajtimit të marrëdhënieve me Korenë Jugore, duke miratuar ndryshime ndaj politikës dhe organizatave qeveritare që praktikisht mund ta trajtojnë Jugun si shtet të ndarë, armik.
Këto lëvizje, të cilat i thyejnë politikat e vjetra me dekada, mund t’ia japin Ministrisë së Jashtme kontrollin mbi marrëdhëniet me Jugun dhe potencialisht ta ndihmojnë justifikimin e përdorimit të armëve bërthamore kundër Seulit në një luftë të ardhshme, thanë analistët, raporton agjencia “Reuters”.
Që nga përfundimi i Luftës Koreane të periudhës 1950 – 1953 në një ngërç, të dyja vendet kanë pasur politika që e kërcënojnë njëra-tjetrën në mënyrë të ndryshme nga shtetet e tjera.
Këtu është përfshirë mbështetja tek agjencitë dhe ministritë e posaçme për marrëdhëniet ndër-koreane e jo te ministritë e punëve të jashtme si dhe zbatimi i politikave për ribashkim paqësor në të ardhmen, zakonisht përmes parashikimit të një shteti të vetëm me dy sisteme.
Megjithatë, në komentet e dhëna javën e kaluar në një takim të partisë në fund të vitit, udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, tha se ribashkimi paqësor është i pamundshëm dhe se qeveria do të bënte “një ndryshim vendimtar të politikave” në marrëdhëniet me “armikun”. Ai gjithashtu e urdhëroi ushtrinë që ta paqësonte dhe ta pushtonte Jugun në rast të një krize.
Ky ndryshim i politikave do të mund ta ndihmojë Korenë Veriore që t’i përdorë armët bërthamore kundër Koresë Jugore, siç ka kërcënuar gjithnjë më shumë viteve të fundit, tha Hong Min, hulumtues i lartë në Institutin Korean për Bashkim Kombëtar në Seul.
“Nëse ata heqin dorë nga bashkimi paqësor dhe e ripërcaktojnë Korenë Jugore si vend armik pa marrëdhënie diplomatike, kundërthënia e përdorimit të armëve bërthamore kundër popullit të njëjtë do të eliminohet”- tha ai.
Disa vëzhgues thonë se deklaratat e Koresë Veriore thjesht e pasqyrojnë realitetin e dy shteteve me përçarje e dallime të thella.