Koreja Veriore e kërcënon Jugun për fletushkat, ia përmend Lindjen e Mesme - NACIONALE

Koreja Veriore e kërcënon Jugun për fletushkat, ia përmend Lindjen e Mesme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja Veriore e kritikoi të mërkurën Korenë Jugore për shfuqizimin e një ligji që ua ndalonte aktivistëve dërgimin e fletushkave propagandistike drejt Veriut, duke këmbëngulur se ky veprim përbën luftë psikologjike dhe duke kërcënuar se do të kundërpërgjigjet me “breshëri predhash”.

Deklarata e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë e Veriut e shënon herën e parë që një medium shtetëror e komenton vendimin e shtatorit nga Gjykata Kushtetuese e Koresë Jugore për shfuqizimin e ligjit të vitit 2020, me të cilin kriminalizohej shpërndarja e fletushkave në shtetin fqinj. Vendimi ishte mbështetur në shqetësimin se ky ligj e kufizonte tepër lirinë e të shprehurit, raporton agjencia “Associated Press”.

Koreja Veriore është shumë e ndjeshme ndaj çfarëdo përpjekjeje të jashtme për ta minuar pushtetin autoritar të udhëheqësit Kim Jong Un, përderisa ai mban kontroll të rreptë mbi popullsinë 26-milionëshe të vendit dhe ua kufizon fort qasjen në lajme të huaja.

Në komentet që iu mveshën një komentuesi politik, agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë Veriore paralajmëroi se Veriu do ta konsiderojë shpërndarjen e fletushkave nga Jugu “luftë psikologjike të nivelit të lartë” dhe madje edhe “sulm parandalues të kryer para fillimit të një lufte”.

“Në situatën e tanishme, ku një shkëndijë mund të çojë në një shpërthim, nuk ka garanci që konfliktet e tilla ushtarake si në Evropë dhe në Lindje të Mesme nuk do të shpërthenin në Gadishullin Korean”- raportoi mediumi shtetëror i Koresë Veriore.

Agjencia pretendoi se fushatat e ardhshme për shpërndarjen e fletushkave mund të nxitin një kundërpërgjigje të pashembullt nga ushtria e Koresë Veriore, e cila qëndron e gatshme “për të derdhur një breshëri predhash” drejt vendeve ku nisen fletushkat.

Edhe pse Koreja Veriore bën kërcënime të çuditshme që nuk i kryen në praktikë, këto komente prapëseprapë e pasqyruan armiqësinë mes dy vendeve në kohën e ngrirjes së gjatë të diplomacisë.

Lajme të ngjashme