Koreja Jugore: Veriu ekzekuton njerëz për video rreth Jugut e aktivitete fetare
Koreja Veriore ekzekuton njerëz për drogë, shpërndarje të medieve të Koresë Jugore e aktivitete fetare, duke i shtypur të drejtat e njeriut dhe lirinë e tyre, thuhet në një raport të vendit fqinj, i cili u publikua të enjten.
Ministria e Unifikimit e Koresë Jugore, e cila merret me çështjet ndërkoreane, e mbështeti raportin me 450 faqe në dëshmitë e mbledhura nga viti 2017 deri më 2022 nga më shumë se 500 ish-banorë të Koresë Veriore, të cilët kanë ikur nga atdheu i tyre, raporton agjencia “Reuters”.
“E drejta e koreanoveriorëve për jetë duket se është e rrezikuar shumë. Ekzekutimet kryhen gjerësisht për aktet që nuk e justifikojnë dënimin me vdekje, përfshirë krimet me drogë, shpërndarjen e videove koreanejugore dhe aktivitetet fetare e të besëtytnisë”- thuhet në raportin e Ministrisë së Unifikimit.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur rezultatet e raportit, por ato ishin në vijë me hulumtimet e OKB-së dhe me raportet e organizatave joqeveritare.
Në anën tjetër, Koreja Veriore i ka refuzuar kritikat për gjendjen e të drejtave të njeriut në këtë shtet, duke i cilësuar si pjesë e një komploti për t’i rrëzuar udhëheqësit e vendit.
Raporti jep hollësi për abuzim të shfrenuar të të drejtave nga shteti në komunitete, kampe të burxheve e në vende të tjera, përfshirë ekzekutimet publike, torturën dhe arrestimin arbitrar.
Ministria e Unifikimit tha se vdekja dhe tortura ndodhin rregullisht në qendrat e ndalimit dhe disa njerëz janë ekzekutuar pa gjyq, pasi janë kapur duke u përpjekur që ta kalonin kufirin.
Presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, tha se ky raport do të duhej ta informonte më mirë komunitetin ndërkombëtar për abuzimet “e tmerrshme”, duke shtuar se Koreja Veriore nuk meriton asnjë cent ndihmë ekonomike, përderisa i ndjek ambiciet e veta bërthamore.
Ministrisë së Unifikimit i kërkohet me ligj që të bëjë një vlerësim vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut në fqinjin verior.
Gati 34 mijë ish-banorë të Koresë Veriore janë vendosur në fqinjin jugor, por numri i njerëzve që kanë ikur ka rënë dukshëm për shkak të masave më të ashpra të sigurisë në kufi.

