Koreja Jugore bastis baza ushtarake amerikane, 17 ushtarë po hetohen për drogë
Policia e Koresë Jugore është duke hetuar 17 ushtarë amerikanë dhe pesë persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë trafikuar ose përdorur marijuanë sintetike përmes postës ushtarake.
Kjo vjen pas bastisjeve në të paktën dy baza ushtarake amerikane në muajin maj, përfshirë bazën “Camp Humphreys”, që është baza ushtarake amerikane më e madhe jashtë ShBA-së, raporton televizioni BBC.
Një shtetas i Filipineve dhe një i Koresë Jugore janë arrestuar, ndërsa prokurorët po i shqyrtojnë rastet kundër 22 të dyshuarve.
Një informatë nga organi për zbatim i ushtrisë amerikane kishte nxitur një hetim 4-mujor nga autoritetet koreane.
Ky është njëri nga hetimet më të mëdha viteve të fundit ku përfshihen ushtarë amerikanë, raportojnë mediat amerikane, duke e cituar Cha Min-seok-un, hetues i lartë në Kore Jugore.
Gjatë bastisjeve të përbashkëta të policisë së Koresë Jugore dhe Divizionit për Hetime Kriminale të Ushtrisë së ShBA-së janë gjetur 77 gramë të kanabisit sintetik, më shumë se 4 kilogramë të “lëngjeve të përziera” që përdoren për cigare elektronike dhe gjithsej 12 mijë e 850 dollarë para të gatshme në hapësirat e banimit të 22 të dyshuarve.
Ata akuzohen për trafikim të marijuanës sintetike – e njohur në gjuhën e rrugës si K2 dhe “Spice” – në Kore Jugore përmes shërbimit amerikan të postës ushtarake.
Shtatë prej të dyshuarve, përfshirë pesë ushtarë, mendohet se kanë qenë të përfshirë në shitje të drogës, 12 ishin përdorues dhe tre vepruan si ndërmjetësues, raporton gazeta “The New York Times”. Në raportim shtohet se bashkëshortja e një ushtari dhe e fejuara e një ushtari tjetër janë gjithashtu të përfshira në rast.
Dyshohet se ato e kishin dërguar drogën në baza ushtarake përmes komunikimit me rrjetin e njohur social, “Snapchat”.
Forcat amerikane në Kore Jugore thanë se janë të vetëdijshme për këtë hetim. Asnjë ushtar tash për tash nuk është në ndalim ose në izolim në lidhje me këtë rast, thuhet në një deklaratë të ushtrisë.
Marijuana sintetike përgatitet për t’i ngjarë THC-së (tetrahidrokanabinol), që është përbërësi kryesor psikoaktiv në marijuanë. Edhe pse ka efekte të ngjashme me kanabisin, marijuana sintetike është zakonisht më e fuqishme dhe është raportuar se ka shkaktuar efekte të rënda negative shëndetësore, përfshirë episodet akute psikotike, lajthitjet paranojake dhe shqetësimin e rëndë.