Koreja e Veriut thotë se ka testuar me sukses një raketë të re hipersonike - NACIONALE

Koreja e Veriut thotë se ka testuar me sukses një raketë të re hipersonike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të hënën e mbikëqyri testimin e suksesshëm të një rakete të re balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, duke u zotuar për t’i përshpejtuar kapacitetet bërthamore dhe raketore të vendit.

Kjo ishte hedhja e parë e një rakete nga Koreja e Veriut që nga data 5 nëntor dhe ndodhi në kohën e vizitës së kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, në Korenë e Jugut. Gjatë vizitës atje, Blinkeni u zotua për bashkëpunim dypalësh e trepalësh, përfshirë edhe Japoninë, për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve ushtarake në rritje nga Penjani, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Testimi i raketës ndodhi më pak se dy javë para rikthimit në pushtet në Shtëpinë e Bardhë të republikanit Donald Trump, i cili ka mbajtur samite të pashembullta me Kimin gjatë mandatit të parë dhe e ka vlerësuar lart raportin personal mes tyre.

Raketa u nis nga periferia e Penjanit dhe fluturoi rreth 1.500 kilometra me shpejtësi 12 fish më të madhe se ajo e zërit, duke arritur lartësi prej gati 100 kilometrash para se të ulej në “kulmin e dytë” prej 42,5 kilometrash e para se të manovronte drejt lëshimit të duhur në një cak afër bregdetit lindor, raportoi agjencia KCNA.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se raporti i KCNA-së sipas të gjitha gjasave ishte i ekzagjeruar, duke vlerësuar se raketa fluturoi rreth 1.100 kilometra dhe duke thënë se nuk ishte vërejtur një kulm i dytë i lartësisë, edhe pse analiza e hollësishme do të zhvillohet së bashku me Shtetet e Bashkuara.

“Kulmi i dytë” do të nënkuptonte se raketa mund ta ndryshojë drejtimin dhe mund ta mbajë lartësinë, e jo të lëshohet në trajektore balistike.

Agjencia KCNA tha se materiale të reja me fibra karboni janë përdorur në sektorin e motorit të raketës. Fibrat e karbonit janë më të lehtë dhe më të fortë në krahasim me materialet e tjera si alumini, por më vështirë prodhohen.

Më tej, agjencia KCNA raportoi se kjo raketë “në mënyrë efikase mund të depërtojnë në cilëndo pengesë të dendur të mbrojtjes dhe t’i shkaktojë goditje serioze ushtarake kundërshtarit”./Nacionale

Lajme të ngjashme