Koreja e Veriut po zgjeron një fabrikë ku prodhohen raketa të përdorura nga Rusia në Ukrainë - NACIONALE

Koreja e Veriut po zgjeron një fabrikë ku prodhohen raketa të përdorura nga Rusia në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Koreja e Veriut është duke zgjeruar një kompleks kyç prodhues të armëve ku montohet një lloj i raketave me rreze të shkurtër, të cilat përdoren nga Rusia në Ukrainë, kanë konkluduar disa hulumtues në një organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara, duke u mbështetur në pamje satelitore.

Objekti, i njohur si fabrika “11 Shkurti”, është pjesë e Kompleksit të Makinerisë Ryongsong në Hamhung, qyteti i dytë më i madh i Koresë së Veriut, në bregdetin lindor të vendit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sam Lair, hulumtues në Qendrën “James Martin” për Studime të Mospërhapjes (CNS), tha se kjo fabrikë është e vetmja që dihet se prodhon raketa balistike të tipit “Hwasong-11”.

Zyrtarët ukrainas thonë se këto municione – që në Perëndim njihen si KN-23 – janë përdorur nga forcat ruse gjatë sulmit të tyre ndaj Ukrainës.

Për zgjerimin e kompleksit nuk është raportuar më parë.

Moska dhe Penjani kanë mohuar se Koreja e Veriut ka dërguar armë në Rusi për t’u përdorur kundër Ukrainës. Sidoqoftë, Rusia dhe Koreja e Veriut në qershor nënshkruan një traktat për mbrojtje reciproke dhe janë zotuar për fuqizimin e lidhjeve të tyre ushtarake.

Misioni i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë artikull.

Në pamje satelitore, të bëra në fillim të tetorit nga kompania satelitore komerciale, “Planet Labs”, shfaqet ajo që duket si ndërtesë shtesë për montim duke u ndërtuar si dhe një objekt i ri për strehim, me gjasë për punëtorë, sipas analizës së hulumtuesve të CNS-së.

Duket gjithashtu se Penjani është duke i përmirësuar hyrjet e disa objekteve nëntokësore në kompleks.

Ndërtesa e re për montim është rreth 60 deri në 70 për qind e madhësisë së ndërtesës së mëparshme që përdorej për montimin e raketave./Nacionale

Lajme të ngjashme