Koreja e Veriut e tregon llojin e raketës që e përdori në testimin rekord
Koreja e Veriut i tregoi muskujt ushtarakë me testimin e një rakete të madhe balistike ndërkontinentale të quajtur “Hwasong-19”, thanë mediat shtetërore të premten, në kohën e reagimeve ndërkombëtare për dislokimin e trupave të këtij shteti për ta ndihmuar Rusinë në luftën e Ukrainës.
Raketa e hedhur të enjten fluturoi më lart se cilado raketë tjetër që është testuar më parë nga Koreja e Veriut, sipas këtij shteti dhe ushtrive në Korenë e Jugut dhe Japoni, të cilat e përcollën fluturimin e saj thellë në hapësirë para se të binte në ujërat mes Japonisë e Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë e Veriut, KCNA, e vlerësoi lart raketën, duke e përshkruar si “raketa më e fuqishme strategjike në botë”.
Edhe pse mbeten pyetje rreth aftësisë së Koresë së Veriut për të drejtuar një raketë të tillë dhe për të mbrojtur një kokë bërthamore me rihyrjen e saj në atmosferë, “Hwasong-19”, njësoj si raketat e tjera balistike ndërkontinentale të fundit të Koresë së Veriut, e dëshmuan rrezen për të sulmuar pothuajse në secilën pjesë të territorit të Shteteve të Bashkuara.
“Raketa balistike ndërkontinentale e llojit të ri dëshmoi para botës se pozicioni hegjemonik që ne e kemi siguruar në zhvillimin dhe prodhimin e mjeteve për shpërndarje bërthamore të llojit të njëjtë është absolutisht i pakthyeshëm” – tha udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, sipas agjencisë KCNA.
Hedhja e kësaj rakete, disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në ShBA, u dënua shpejt nga Uashingtoni dhe aleatët e tij në Kore të Jugut, Japoni dhe Evropë, si dhe nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Të premten, Koreja e Jugut u vendosi sanksione të reja 11 individëve dhe katër entiteteve nga Koreja e Veriut për shkak të testimit të raketës balistike ndërkontinentale, duke përmendur zyrtarë që, sipas këtij shteti, kanë kontribuuar në zhvillimin raketor dhe bërthamor dhe në kanalizimin e fondeve të paligjshme drejt vendit të tyre.
Një zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit të Koresë së Jugut, e cila merret me marrëdhëniet me Veriun, tha se hedhja e raketës mund të ketë qenë për disa qëllime, përfshirë shfaqjen e teknologjisë ushtarake, presionin ndaj Uashingtonit dhe shmangien e vëmendjes nga dërgimi i trupave të Koresë së Veriut në Rusi./Nacionale