Koreja e Jugut thotë se Veriu ka nisur të dërgojë trupa për të luftuar në Ukrainë
Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut ka thënë se Koreja e Veriut ka filluar që të dërgojë trupa për të luftuar krahas forcave ruse në Ukrainë, duke e cilësuar këtë veprim si “kërcënim të rëndë për sigurinë”.
Akuza vjen një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se beson që 10 mijë ushtarë të Koresë së Veriut mund të bëhen pjesë e luftës, duke u mbështetur në të dhëna të inteligjencës, raporton televizioni BBC.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, bëri thirrje për një takim të sigurisë të premten dhe tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të kundërpërgjigjet me “të gjitha mjetet në dispozicion”.
Sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut, 1.500 trupa tashmë kanë arritur në Rusi, ndërsa burime anonime u kanë thënë mediave në Seul se shifra përfundimtare mund të jetë afër 12.000.
Ky raportim vjen në kohën e shtimit të dëshmive se Koreja e Veriut është duke e furnizuar Rusinë me municion, siç u dëshmua rishtazi përmes zbulimit të një rakete në rajonin Poltava të Ukrainës.
Moska dhe Penjani kanë qenë duke e thelluar bashkëpunimin muajve të fundit. Javën e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e uroi për ditëlindje presidentin rus, Vladimir Putin, duke e quajtur “miku më i ngushtë”.
Në takimin e sigurisë të premten në Kore të Jugut morën pjesë zyrtarë kyçë nga Zyra e Sigurisë Kombëtare, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, tha zyra e presidentit./Nacionale