Koreja e Jugut thotë se ushtarë të Koresë së Veriut po luftojnë kundër forcave ukrainase - NACIONALE

Koreja e Jugut thotë se ushtarë të Koresë së Veriut po luftojnë kundër forcave ukrainase

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtarë të Koresë së Veriut janë përfshirë në operacione luftarake kundër Ukrainës krahas aleatëve të tyre rusë, tha të mërkurën agjencia për inteligjencë e Seulit.

Konfirmimi nga Koreja e Jugut vjen në kohën e kritikave globale përderisa Koreja e Veriut dhe Rusia po i forcojnë lidhjet ushtarake, pasi Penjani dërgoi mijëra trupa në rajonin Kursk të Rusisë për ta ndihmuar luftën e saj me Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës vlerëson se trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi janë vendosur në rajonin e Kurskut gjatë dy javëve të kaluara” – tha kjo agjenci në një deklaratë.

Sipas agjencisë së spiunazhit, trupat e Koresë së Veriut e kishin përfunduar dislokimin në fushën e betejës dhe tashmë po merrnin pjesë në operacione luftarake.

Të martën, mediat shtetërore të Koresë së Veriut thanë se Penjani kishte ratifikuar një traktat për mbrojtje reciproke me Rusinë, që ishte nënshkruar në qershor nga krerët e dy vendeve, me të cilin parashihet dalja në ndihmë vendit partner, nëse ky sulmohet.

Lajme të ngjashme