Koreja e Jugut do të pezullojë një pakt ushtarak me Veriun pas hedhjes së balonave me bërllok - NACIONALE

Koreja e Jugut do të pezullojë një pakt ushtarak me Veriun pas hedhjes së balonave me bërllok

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koreja e Jugut planifikon që të pezullojë një marrëveshje ushtarake të nënshkruar me Korenë e Veriut më 2018 që e kishte për qëllim uljen e tensioneve, tha të hënën zyra presidenciale, pasi Seuli paralajmëroi për kundërpërgjigje të fortë ndaj balonave me bërllok që u hodhën nga Penjani në shtetin fqinj.

Koreja e Veriut ka lëshuar qindra balona që u bartën nga era matanë kufirit dhe që hodhën mbeturina në pjesë të ndryshme të Koresë së Jugut, shtet që këtë veprim e ka quajtur provokim dhe e ka hedhur poshtë pretendimin e Penjanit për ta bezdisur fqinjin, raporton agjencia “Reuters”.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha se do ta ngrejë planin për ta pezulluar tërësinë e marrëveshjes ushtarake për miratim nga kabineti në një takim të martën.

Pezullimi i marrëveshjes do ta hapë rrugën që Koreja e Jugut të kryejë trajnime afër kufirit ushtarak dhe të marrë “masa të mjaftueshme dhe të menjëhershme” si kundërpërgjigje ndaj provokimit nga Koreja e Veriut, thuhet në një deklaratë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Nuk u dhanë hollësi se cilat mund të jenë ato masa.

Në anën tjetër, Koreja Veriore vitin e kaluar kishte thënë se nuk qëndron më e lidhur në këtë marrëveshje.

Nga ajo kohë, Veriu ka dislokuar trupa dhe armë në pikat e rojës afër kufirit ushtarak.

Duke vazhduar që të respektohet pakti, “ka pasur probleme të konsiderueshme në qëndrimin e gatishmërisë sonë luftarake”, tha Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut.

Lajme të ngjashme