Konkurrencë me SHBA-të e Kinën, Evropa dërgon në hapësirë raketën Vega-C - NACIONALE

Konkurrencë me SHBA-të e Kinën, Evropa dërgon në hapësirë raketën Vega-C

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një biznes gjithnjë e më konkurrues të lëshimit të satelitëve në orbitë, Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) ka festuar të mërkurën fluturimin e parë të raketës Vega-C në hapësirë.

Vega-C është një përmirësim i raketës Vega që bëri debutimin e saj në 2012, e specializuar në ngritjen e ngarkesave të vogla në hapësirë, por Vega-C mund të mbajë ngarkesa më të rënda se paraardhësi i saj duke djegur më pak karburant.

ESA ka njoftuar se Vega-C do të jetë veçanërisht e dobishme për lëshimin e satelitëve të vëzhgimit të tokës, por është parashikuar gjithashtu si transportues i Space Rider, një laborator robotik pa ekuipazh që do të jetë mjeti i parë hapësinor i ripërdorshëm i agjencisë.

Nisja e raketës me një gjatësi prej 35 metrash, u bë nga Guiana Franceze dhe për shkak të disa problemeve teknike nisja e saj u vonua dy herë, por arriti të lëshohet me sukses në përpjekjen e tretë.

Sipas Associated Press, Vega-C brenda dy minutave nga nisja ka arritur një shpejtësi prej 16,000 kilometrash në orë dhe ka lëshuar në hapësirë, gjashtë mini-satelitë në formë kubi dhe një satelit të prodhimit italian të quajtur LARES-2, që do të veprojë si një objektiv për një stacion lazer me bazë tokësore.

E ndërkohë që Evropa është në përpjekje për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe rivalët e tjerë, kreu i ESA-s, ka njoftuar për një sërë projektesh të tjera ambicioze në biznesin në rritje të hapësirës.

Lajme të ngjashme