Komandanti ukrainas thotë se Rusia po grumbullon dhjetëra mijëra ushtarë në Kursk
Rusia është duke grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në rajonin rus, Kursk, ku po mundohet që ta rimarrë kontrollin e humbur pas sulmit të forcave ukrainase atje në verë, tha të hënën komandanti i ushtrisë ukrainase, Gjeneral Oleksandr Syrskyi.
“Pas urdhrave të udhëheqësisë së tyre ushtarake, ata po mundohen që t’i zhvendosin trupat tona dhe të avancojnë thellë në territorin që ne e kontrollojmë. Nëse nuk do të ishte qëndrueshmëria e ushtarëve tanë, këta dhjetëra mijëra armiq nga njësitet më të mira ruse do t’i kishin goditur pozicionet tona” – shkroi ai në rrjete sociale, raporton Radio "Evropa e Lirë".
Syrskyi kishte bërë komente të ngjashme edhe më 6 nëntor, ditën e njëjtë kur dhoma e lartë e Kuvendit të Rusisë, Këshilli i Federatës, ratifikoi një traktat me Korenë e Veriut ku parashihet asistenca e përbashkët ushtarake, lëvizje që u bë përderisa Uashingtoni e ka konfirmuar dislokimin e 10 mijë trupave të Koresë së Veriut në Rusi.
“Armiku përqendroi rreth 45 mijë trupa atje dhe po mundohet që ta rrisë numrin e tyre. Trupat e Rusisë nuk janë të mjaftueshme në këtë drejtim, prandaj ata po mundohen që të tërheqin personel ushtarak nga Koreja e Veriut atje” – shkroi komandanti ukrainas në rrjetin “Telegram”.
Ukraina pretendon se ka nën kontroll më shumë se 1 mijë kilometra katrorë në Kursk pas sulmit të befasishëm në rajonin rus që kufizohet me Ukrainën, që filloi më 6 gusht.
Lëvizja e Kievit erdhi si befasi, pasi forcat ukrainase me mungesa ishin duke pasur vështirësi në pjesën lindore të Ukrainës kundër ofensivës gërryese nga forcat ruse, më të shumta në numër, më mirë të pajisura dhe më mirë të armatosura.
Syrskyi tha se sulmi në Kursk ishte i nevojshëm si sulm parandalues kundër një sulmi të pritshëm rus nga Kursku në rajonin Sumy të Ukrainës.
“Për këtë arsye, u vendos që të kryhej një operacion parandalues i ofensivës me dërgimin e armiqësive në territorin e armikut, në rajonin Kursk” – shkroi ai.
Komandanti ukrainas gjithashtu pretendoi se që nga fillimi i operacionit ukrainas në Kurs, 7.905 ushtarë rusë janë vrarë, 12.220 janë plagosur, ndërsa 717 janë kapur.
Shifrat e paraqitura nga Syrskyi nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur./Nacionale