Komandanti i Forcës Kuds të Iranit ka shëndet të mirë, thotë nënkomandanti
Komandanti i Forcës Kuds të Iranit, Esmail Qaani, është me “shëndet të mirë”, tha të hënën nënkomandanti i kësaj force, Iraj Masjedi, pasi disa burime iraniane të sigurisë i kishin thënë agjencisë “Reuters” se ai ishte jashtë kontaktit që nga sulmet në Bejrut javën e kaluar.
“Ai është me shëndet të mirë dhe është duke i kryer aktivitetet e tij. Disa na kërkojnë që të lëshojmë një deklaratë… nuk ka nevojë për këtë” – citohet të ketë thënë Masjedi nga mediat shtetërore, duke iu referuar Qaanit, raporton agjencia “Reuters”.
Njëri nga zyrtarët që foli me agjencinë “Reuters” tha se Qaani ndodhej në periferinë jugore të Bejrutit, e njohur si Dahiyeh, gjatë një sulmi javën e kaluar që u raportua se në shënjestër e kishte zyrtarin e lartë të Hezbollahut, Hashem Safieddine. Zyrtari tha se ai nuk ishte duke u takuar me Safieddinen.
Izraeli ka qenë duke goditur shumë caqe në Dahiyeh, përderisa po zhvillon një fushatë kundër grupit libanez të përkrahur nga Irani, Hezbollah.
Teherani e emëroi Qaanin komandant të shërbimit të inteligjencës ushtarake jashtë vendit të Rojave Revolucionare, pasi Shtetet e Bashkuara e vranë paraardhësin e tij të fuqishëm, Qassem Soleimani, përmes një sulmi me dron në Bagdad më 2020.
Forca Kuds ka ndikim të madh te grupet e armatosura aleate në mbarë Lindjen e Mesme./Nacionale