Komandanti i forcave kurde thotë se janë gati për hyrjen e turqve: Do të jetë një betejë e madhe - NACIONALE

Komandanti i forcave kurde thotë se janë gati për hyrjen e turqve: Do të jetë një betejë e madhe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komandanti i Forcave Demokratike Siriane në verilindje të Sirisë, të cilat udhëhiqen nga kurdët, Mazloum Abdi, ka thënë se grupi i tij është i përgatitur për ta zmbrapsur ofensivën e mundshme tokësore të forcave turke.

Ai i tha agjencisë “Associated Press” se forcat e tij janë përgatitur për një sulm tjetër që nga koha kur Turqia kishte nisur një ofensivë tokësore2019. “Ne besojmë se kemi arritur një nivel ku mund të parandalojmë çfarëdo sulmi të ri. Të paktën turqit nuk do të mund të pushtojnë më shumë nga zonat tona dhe do të jetë një betejë e madhe”- tha Abdi.

“Nëse Turqia sulmon ndonjë rajon, lufta do të përhapet në të gjitha rajonet... dhe të gjithë do të lëndohen nga kjo”- shtoi komandanti i Forcave Demokratike Siriane.

Turqia ka kryer një varg sulmesh ajrore ndaj caqeve të dyshimta të militantëve kurdë në pjesën veriore të Sirisë dhe Irakut ditëve të fundit si hakmarrje për një shpërthim vdekjeprurës më 13 nëntor në Stamboll, për të cilin Ankaraja i ka fajësuar grupet militante. Sidoqoftë, grupet e kanë mohuar përgjegjësinë për shpërthimin.

Të mërkurën, ushtria turke goditi objekte të infrastrukturës në verilindje të Sirisë, përfshirë një kullë telekomunikimi dhe fusha të naftës e gazit, sipas zëdhënësit të Forcave Demokratike Siriane, Farhad Shami. Ai shtoi se njëri nga sulmet ndodhi afër burgut “Jerkin”, afër qytetit Qamishli, ku mbahen shumë anëtarë të ISIS-it. Shami tha se nga një sulm tjetër u shkatërrua një shkollë në fshatin Kuran, afër qytezës kufitare, Kobani.

Këto sulme ndodhën një ditë pas bombarimeve në qytezën Azaz, e cila kontrollohet nga luftëtarët opozitarë të përkrahur nga Turqia, me ç’rast u vranë pesë njerëz e u plagosën pesë të tjerë. Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, bombardimet erdhën nga pozicionet e forcave qeveritare siriane dhe Forcave Demokratike Siriane.

Pas sulmeve ajrore të fundjavës nga forcat turke, zyrtarët turq thanë se militantë të dyshimtë kurdë hodhën raketa të hënën matanë kufirit sirian, në territorin e Turqisë, duke vrarë dy njerëz e duke plagosur dhjetë të tjerë. Abdi mohoi se forcat e tij kanë kryer sulme në territorin e Turqisë.

Abdi u bëri thirrje Moskës dhe Damaskut si dhe koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që lufton kundër ISIS-it në Siri që të marrin pozicion më të fuqishëm për ta parandaluar ofensivën tokësore turke, duke paralajmëruar që një veprim i tillë do të mund t’i dëmtonte përpjekjet për ta luftuar rishfaqjen e ISIS-it.

Turqia ka kërcënuar se, përpos sulmeve ajrore, mund të fillojë edhe ofensivë tokësore në Siri. Të martën, presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha: “Ne kemi qenë mbi terroristët në ditët e fundit me aeroplanët, artilerinë e dronët tanë. Sa më shpejt që është e mundshme, ne do t’i çrrënjosim të gjithë ata së bashku me tanket dhe ushtarët tanë.”

Forcat Demokratike Siriane janë aleate të koalicionit të udhëhequr nga forcat amerikane në Siri.

Lajme të ngjashme