Kolumbia e tërheq ambasadorin nga Shtetet e Bashkuara - NACIONALE

Kolumbia e tërheq ambasadorin nga Shtetet e Bashkuara

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kolumbia e ka tërhequr ambasadorin e vet nga Uashingtoni në kohën e një lufte të ashpër me fjalë mes presidentit kolumbian, Gustavo Petro, dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, për sulmet vdekjeprurëse amerikane ndaj disa barkave në Karaibe.

Përplasja mori një kthesë të ashpër këtë fundjavë, kur Petro i akuzoi Shtetet e Bashkuara për “vrasjen” e një peshkatari kolumbian gjatë një sulmi ndaj një barke në ujërat territoriale kolumbiane. Petro dhe administrata e tij thanë se sulmi i muajit të kaluar ishte “kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit kombëtar” dhe se viktima ishte “peshkatar gjatë tërë jetës” dhe “qenie njerëzore modeste”, shkruan gazeta “The Guardian”.

Si kundërpërgjigje, Trumpi, i cili ka thënë se qëllimi i këtyre sulmeve është ndalja e trafikimit të drogës drejt ShBA-së, e quajti homologun kolumbian “diler të paligjshëm të drogës” dhe u zotua për t’u dhënë fund pagesave të ndihmave për Kolumbinë, njëra nga përfitueset më të mëdha të asistencës amerikane kundër narkotikëve.

Trumpi gjithashtu e urdhëroi homologun që t’i “mbyllë” qendrat e kultivimit të drogës, duke thënë se nëse ai nuk e bën këtë, “Shtetet e Bashkuara do t’i mbyllin ato për të dhe kjo nuk do të bëhet në mënyrë të bukur”. Presidenti amerikan gjithashtu tha se do të njoftojë taksa të reja ndaj mallrave kolumbiane.

Si reagim, Kolumbia e tërhoqi ambasadorin e vet në ShBA për bisedime në Bogota të hënën, përderisa ministri i Brendshëm, Armando Benedetti, tha se komentet e presidentit amerikan janë “kërcënim për pushtim ose veprim ushtarak kundër Kolumbisë”. Petro tha se konflikti 5-dekadësh në Kolumbi e ka prejardhjen nga “konsumimi i kokainës në Shtetet e Bashkuara”.

Analistët kanë paralajmëruar se kjo përplasje është njëra nga tensionet më serioze në marrëdhëniet mes dy vendeve me aleancë të vjetër dhe hedh dyshime mbi sigurinë dhe bashkëpunimin kundër narkotikëve mes dy shteteve. Përplasja me ShBA-në vjen në një periudhë kritike për Kolumbinë, e cila po ballafaqohet me krizën më të rëndë të sigurisë në një dekadë.

Lajme të ngjashme