“Koha është tash”: Blinkeni në Izrael bën thirrje për armëpushim në Gaza
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, po qëndron të mërkurën në Izrael për t’u takuar me udhëheqësit e këtij shteti. Ai i tha presidentit Isaac Herzog se “koha është tani” për një marrëveshje armëpushimi në luftën e Gazës.
Kryediplomati amerikan i përshëndeti familjet e pengjeve izraelite që po mbahen në Gaza, që po protestonin para ndërtesës ku u zhvillua takimi mes tij dhe presidentit izraelit, duke u thënë se lirimi i të dashurve të tyre është “në zemër të gjithçkaje që ne po mundohemi ta bëjmë”, raporton agjencia “Associated Press”.
Në vizitën e shtatë që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit e Hamasit në tetor, Blinkeni po mundohet që të çojë përpara një armëpushim me të cilin do të liroheshin pengjet që po mbahen nga Hamasi në këmbim të ndërprerjes së luftimeve. Pritet që edhe disa të burgosur palestinezë të lirohen si pjesë e marrëveshjes.
Blinkeni tha se Hamasi do të ishte fajtor për çfarëdo dështimi për të arritur marrëveshje armëpushimi. Rundi i tanishëm i bisedimeve duket serioz, por palët mbeten larg me qëndrime për një çështje kyçe – nëse lufta duhet të përfundojë si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim fillestar të përkohshëm.
“Ne jemi të vendosur që të sigurojmë një armëpushim që i sjell në shtëpi pengjet dhe që ta sigurojmë atë tani, dhe arsyeja e vetme që kjo nuk u arrit është për shkak të Hamasit” – i tha Blinkeni presidentit izraelit në Tel Aviv.
“Është një propozim në tavolinë dhe, siç kemi thënë, jo vonesa, jo arsyetime. Koha është tani” – deklaroi zyrtari i lartë i Uashingtonit.
Sipas Blinkenit, marrëveshja do ta mundësonte edhe hyrjen e ushqimit, ujit dhe ilaçeve shumë të nevojshme në Gaza, ku lufta ka nxitur një krizë humanitare dhe e ka shkaktuar zhvendosjen e një pjese të madhe të popullsisë së enklavës.
Sekretari amerikan iu tha familjeve të pengjeve se një propozim shumë i fuqishëm është në tavolinë dhe se Hamasi duhet ta pranojë atë. “Kjo është vendosmëria jonë dhe ne nuk do të pushojmë, nuk do të ndalemi derisa ju të ribashkoheni me të dashurit tuaj” – tha Blinkeni para të afërmve të pengjeve.
Para vizitës në Izrael, ai ishte edhe në Arabi Saudite e Jordani, ku i bëri thirrje Hamasit që ta pranonte propozimin e ri, duke e quajtur “jashtëzakonisht dorëlirë” nga ana e Izraelit.
Sipas Departamentit të Shtetit, Blinkeni do të vizitojë edhe një port izraelit ku janë duke hyrë ndihmat për Gazën.