Koalicioni Vullnetmirë do të ndërtojë program të përbashkët evropian kundër raketave balistike - NACIONALE

Koalicioni Vullnetmirë do të ndërtojë program të përbashkët evropian kundër raketave balistike

2 orë më parë

nga NACIONALE

Ukraina dhe nëntë shtete të tjera aleate, përfshirë Britaninë, Gjermaninë e Francën, do të ndërtojnë një program të përbashkët të mbrojtjes kundër raketave balistike për Evropën, duke e përdorur përvojën e Kievit në luftën kundër Rusisë për më shumë se katër vjet.

“Qëllimi ynë është që të ndërtojmë një kapacitet të përbashkët të mbrojtjes nga raketat balistike për Evropën” – thanë dhjetë vendet në një deklaratë të hënën, kur udhëheqësit u takuan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për diskutime në Paris, raporton gazeta “The Guardian”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu njoftoi pas takimit se Forca Shumëkombëshe për Ukrainën, e cila do të dislokohej në rast të arritjes së një armëpushimi mes Ukrainës e Rusisë, do të mbajë ushtrime në vendet fqinje në muajt e ardhshëm.

Zelensky arriti të hënën në Paris me synimin për t’i përshpejtuar përpjekjet me vendet evropiane për ta zhvilluar mbrojtjen ajrore të Ukrainës para dimrit, kur Rusia zakonisht i shpeshton sulmet për t’i lënë ukrainasit pa rrymë, ngrohje e ujë.

Ai kërkoi nga udhëheqësit e disa shteteve evropiane që t’i bashkojnë forcat për të zhvilluar masa kundër sulmeve raketore të Rusisë që e kanë goditur Ukrainën.

Koalicioni për mbrojtje anti-balistike, në të cilin përfshihen edhe Danimarka, Italia, Holanda, Suedia e Spanja, tha se e njeh “rrezikun në rritje që paraqitet nga raketat balistike”, të cilët ndalen më vështirë se raketat me drejtim ose dronët.

Programi anti-balistik do të përfshinte “një arkitekturë të integruar të mbrojtjes raketore, për t’i frenuar dhe neutralizuar kërcënimet raketore në të ardhmen”, thuhet në deklaratë. Megjithatë, nuk u dha ndonjë afat për zhvillimin e këtij programi. Zelensky pritej të takohej edhe me këshilltarë të sigurisë kombëtare dhe kompani të mbrojtjes që mund të marrin pjesë në këtë program./Nacionale

Lajme të ngjashme