Kirurgët në Oksford e kryejnë me sukses transplantin e parë të mitrës në Britani
Si arritje e konsiderueshme mjekësore, një ekip kirurgësh në Oksford e kryen të mërkurën transplantimin e parë të suksesshëm të mitrës në Mbretëri të Bashkuar.
Ky operacion ofron një fije shprese për gratë që, si pacientja në këtë rast, janë lindur pa mitër funksionale, duke u dhënë mundësi të përjetimit të shtatzënisë dhe lindjes së fëmijëve, raporton agjencia “Anadolu”.
Sipas një deklarate të Spitaleve Universitare të Oksfordit, një grua marrëse 34-vjeçare dhe donatorja, motra e saj, kanë dalë nga procedura me shëndet të mirë.
Marrësja e mitrës tani synon që t’i nënshtrohet fertilizimit artificial këtë vjeshtë.
Ekipi kirurgjik prapa këtij operacioni historik është bashkudhëhequr nga kirurgë të përgatitur nga Trusti i NHS-së i Kujdesit Shëndetësor të Kolegjit Imperial dhe Trusti i NHS-së i Spitaleve Universitare të Oksfordit.
Përafërsisht një në çdo pesë mijë gra në Mbretëri të Bashkuar lind pa mitër funksionale, duke u pamundësuar që të mbeten shtatzëna dhe të lindin fëmijë.
Për më tepër, shumë gra janë detyruar që t’u nënshtrohen operacioneve për heqjen e mitrës për shkak të problemeve të ndryshme shëndetësore, përfshirë kancerin dhe endometriozën.
Përderisa ky ishte operacioni i parë i suksesshëm i këtij lloji në Mbretëri të Bashkuar, në mbarë botën tashmë janë kryer rreth 100 operacione të tilla, duke rezultuar në lindjen e rreth 50 foshnjave pas këtyre transplanteve.