Kirgizia e ndalon por*ografinë në internet
Kirgizia e ka ndaluar qasjen në por*ograi në internet dhe ka vendosur kontroll shtetëror në trafikun e internetit sipas ligjeve të reja të nënshkruara nga presidenti Sadyr Japarov, tha të martën zyra e tij.
Zyra e Japarovit tha se ndalimi i por*ografisë është që “të mbrohen vlerat morale dhe etike” në shtetin me shumicë myslimane, vend i Azisë Qendrore me rreth 7 milionë njerëz, i pavarësuar nga Bashkimi Sovjetik më 1991, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Me legjislacionin e ri, kompanive që ofrojnë internet u kërkohet që t’i bllokojnë uebfaqet duke u mbështetur në vendimet e Ministrisë së Kulturës. Ata që bëjnë shkelje do të gjobiten.
Dikur shteti më demokratik në Azinë Qendrore, Kirgizia ka shënuar shtim të presionit ndaj grupeve opozitare dhe mediave të pavarura që nga koha kur Japarovi, nacionalist dhe populist, erdhi në pushtet pas një vale të protestave më 2020.
Ai e ka bërë pjesë kryesore të agjendës së vet mbrojtjen e atyre që i quan vlera tradicionale kirgize.
Gjithashtu të martën, Japarovi nënshkroi një dekret për vendosjen e monopolit shtetëror ndaj trafikut të internetit ndërkombëtar.
Sipas dekretit, kompania shtetërore e telekomunikimit, “ElCat”, do të jetë ofruesja e vetme e trafikut të internetit ndërkombëtar në vend për një periudhë provuese njëvjeçare, duke filluar nga 15 gushti./Nacionale