Kina “thellësisht e shqetësuar” nga konflikti Tajlandë – Kamboxhia, rritet numri i të vrarëve - NACIONALE

Kina “thellësisht e shqetësuar” nga konflikti Tajlandë – Kamboxhia, rritet numri i të vrarëve

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Kina ka thënë se është thellësisht e shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve kufitare mes Tajlandës e Kamboxhias, sipas deklaratës së një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme.

Pekini “shpreson që të dyja palët mund t’i zgjidhin problemet e tyre në mënyrën e duhur përmes dialogut dhe konsultimit”, tha zëdhënësi Guo Jiakun, duke shtuar se Kina do të mbajë një “pozicion të drejtë dhe të paanshëm”, raporton televizioni BBC.

“Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë që ta promovojmë paqen dhe ta inkurajojmë dialogun në mënyrën tonë, duke luajtur një rol konstruktiv për ta ndihmuar depërshkallëzimin e situatës” – shtoi ai.

Më herët këtë muaj, ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Yi, u bëri thirrje dy shteteve që ta zgjidhnin mosmarrëveshjen kufitare përmes dialogut.

Kryediplomati kinez tha gjithashtu se vendi i tij ishte i gatshëm që të “luante një rol konstruktiv për ekzistencën e përbashkët në harmoni mes Tajlandës dhe Kamboxhias”.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë i Tajlandës ka thënë se 11 civilë dhe një anëtar i personelit ushtarak janë vrarë gjatë përleshjeve me vendin fqinj. Fillimisht ishte raportuar për 2 civilë të vrarë, e pastaj numri kishte shkuar në nëntë.

Ministria e Jashtme e Tajlandës i bëri thirrje Kamboxhias që t’i ndërpresë veprimet e saj, të cilat tha se përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se Tajlanda është e përgatitur për intensifikimin e masave të vetëmbrojtjes, nëse vendi fqinj i vazhdon sulmet e armatosura.

Në anën tjetër, Kamboxhia e ka akuzuar Tajlandën për përdorim të forcës së tepruar në anën kamboxhiane të kufirit./Nacionale

Lajme të ngjashme