Kina, ShBA-së: Mjaft luajtët me kartën e "kërcënimit kinez" lidhur me Grenlandën
Kina ka kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara sot, duke hedhur poshtë pretendimin se ajo përbën kërcënim për Grenlandën.
"Ne i bëjmë thirrje SHBA-së të ndalojë përdorimin e të ashtuquajturit 'kërcënim kinez' si pretekst për të kërkuar përfitime vetjake," citohet të ketë deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, gjatë një konference për shtyp në Pekin, sipas CNN.
Ky reagim vjen pasi Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, në një postim të gjatë në rrjetet sociale të shtunën, tha se Shtetet e Bashkuara kishin nevojë të zotëronin Grenlandën për t'iu kundërvënë kërcënimeve kineze dhe ruse në Arktik dhe për të zhvilluar atë që ai e ka quajtur "Kupola e Artë" për të mbrojtur Amerikën e Veriut nga raketat balistike.
"Kina e ka deklaruar qëndrimin e saj për Grenlandën në raste të shumta. E drejta ndërkombëtare, e mbështetur nga qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, është themeli i rendit aktual ndërkombëtar dhe duhet të respektohet," shtoi Jiakun.