Kina “seriozisht e shqetësuar” për sistemin mbrojtës “Kupola e Artë” të ShBA-së
Kina është e shqetësuar për një projekt të Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e mburojës mbrojtëse raketore, “Kupola e Artë”, dhe i bën thirrje Uashingtonit që të heqë dorë nga zhvillimi i saj, tha të mërkurën një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Pekin.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të martën se kishte përzgjedhur një dizajn për projektin dhe kishte emëruar një gjeneral të Forcës Hapësinore për ta drejtuar programin ambicioz me qëllim të bllokimit të kërcënimeve nga Kina dhe Rusia, shkruan gazeta “The Guardian”, duke e cituar agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, kur u pyet për këtë projekt në një konferencë të rregullt për gazetarë, tha se ai bart “implikime të forta sulmuese” dhe i shton rreziqet për militarizimin e hapësirës së jashtme dhe për një garë armësh.
“Shtetet e Bashkuara, gjatë ndjekjes së politikës “Amerika e para”, janë të dhëna pas kërkimit të sigurisë absolute për veten. Kjo e shkel parimin që siguria e të gjitha shteteve nuk duhet të komprometohet dhe i minon baraspeshën dhe stabilitetin strategjik global. Kina është seriozisht e shqetësuar për këtë” – shtoi zëdhënësja Ning.
Ajo i bëri thirrje Uashingtonit që ta braktisë zhvillimin e sistemit sa më shpejt që është e mundur dhe të ndërmarrë masa për forcimin e besimit mes fuqive kryesore.
Sidoqoftë, Qeveria e Kanadasë ndërkohë tha se është në bisedime me Shtetet e Bashkuara për t’u bërë pjesë e sistemit “Kupola e Artë”.
Zyra e kryeministrit kanadez, Mark Carney, tha se ka “diskutime aktive” mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë, përfshirë programet ekzistuese dhe ato të reja si “Kupola e Artë”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e zbuloi planin për sistemin e ri mbrojtës të martën, duke njoftuar një shumë fillestare prej 25 miliardë dollarësh për ndërtimin e tij. Presidenti tha, gjithashtu, se edhe Kanadaja ka shprehur interesim për t’u bërë pjesë e projektit./Nacionale