Kina ia anulon vizitën Borrellit
Kina ia ka anuluar vizitën e planifikuar për javën e ardhshme shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të martën një zëdhënëse e BE-së.
Nuk u dhanë arsye për këtë anulim, i cili vjen në kohën kur Evropa po synon që t’i zvogëlojë rreziqet e krijuara nga marrëdhënia e ngushtë ekonomike e saj me Kinën, të cilën Brukseli e ka quajtur “konkurruese ekonomike dhe rivale sistematike”, raporton agjencia “Reuters”.
“Fatkeqësisht, jemi informuar nga pala kineze se datat e parashikuara javën e ardhshme nuk janë më të mundshme dhe ne duhet të shikojmë për alternativa”- tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.
Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Borrelli planifikonte që ta vizitonte Pekinin më 10 korrik për t’u takuar me homologun kinez dhe për të diskutuar “çështje strategjike”, përfshirë të drejtat e njeriut dhe luftën e Rusisë në Ukrainë, tha të dielën ambasadori i BE-së në Kinë.
Ambasadori Jorge Toledo tha në Forumin Botëror të Paqes në Pekin të dielën se Kina dhe Evropa ka gjasë që të zhvillojnë dy palë bisedime në shtator, një palë për ekonominë dhe tregtinë, ndërsa një palë për çështjet digjitale, para samitit të udhëheqësve në fund të vitit.
“Ne duam që të angazhohemi me Kinën, por kemi nevojë për përparim dhe ai na duhet këtë vit”- tha Toledo.
Kjo është hera e dytë që vizita e Borrellit në Kinë anulohet. Ai nuk mundi që ta vizitonte fuqinë aziatike në prill, pasi kishte dalë pozitiv në testin për Covid-19.
Në një fjalim të përgatitur për ta mbajtur në Pekin në Prill, Borrelli kishte thënë se BE-ja nuk mund t’i besonte Kinës, nëse Pekini nuk kërkon paqe në Ukrainë.