Kina i premton Afrikës gati 51 miliardë dollarë e një milion vende pune - NACIONALE

Kina i premton Afrikës gati 51 miliardë dollarë e një milion vende pune

2 ditë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u zotua të enjten për ta shtuar përkrahjen e vendit të tij ndaj kontinentit me rritjen më të shpejtë me fonde prej gati 51 miliardë dollarësh, mbështetje për më shumë nisma në infrastrukturë dhe për hapjen e të paktën një milion vendeve të punës.

Si huadhënësi më i madh në botë, Pekini shfaqi dëshirë për t’u tërhequr nga financimi i infrastrukturës me shuma të mëdha dhe, në vend të kësaj, të përqendrohet në shitjen e teknologjisë së avancuar dhe të gjelbër te vendet në zhvillim. Kompanitë kineze kanë investuar shumë në këto fusha, raporton agjencia “Reuters”.

Prapëseprapë, presidenti kinez iu tha delegatëve nga më shumë se 50 shtete afrikane që ekonomia e dytë më e madhe në botë do të kryente 30 projekte infrastrukturore në mbarë kontinentin e pasur me burime dhe se Kina do të ofronte 360 miliardë jenë (50,7 miliardë dollarë) si asistencë financiare.

Kina është e gatshme për ta thelluar bashkëpunimin me Afrikën në industri, bujqësi, infrastrukturë, tregti dhe investime” – iu tha Jinpingu delegatëve në një samit të rëndësishëm Kinë – Afrikë në Pekin.

Ai bëri thirrje për “një rrjet Kinë – Afrikë që i paraqet lidhjet tokë – det dhe zhvillimin e bashkërenduar”, përderisa iu tha kontraktorëve kinezë që të kthehen në Afrikë pas heqjes së kufizimeve që ishin vendosur gjatë pandemisë së koronavirusit dhe që i kishin penguar skemat kineze.

Vitin e kaluar, Kina miratoi huadhënie me vlerë të 4,61 miliardë dollarëve për vendet afrikane. Kjo ishte rritja e parë vjetore që nga viti 2016.

“Ne jemi të gatshëm për të asistuar në zhvillimin e Zonës Kontinentale Afrikane të Tregtisë së Lirë dhe t’i thellojmë logjistikën dhe bashkëpunimin financiar për të mirën e zhvillimit trans-rajonal në Afrikë” – shtoi presidenti kinez./Nacionale

Lajme të ngjashme