Kina i jep burgim të përjetshëm nxënësit që e mbyti shokun me lopatë - NACIONALE

Kina i jep burgim të përjetshëm nxënësit që e mbyti shokun me lopatë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë në Kinë ka dënuar dy adoleshentë për vdekjen e shokut të tyre në mars të këtij viti.

Adoleshentët nga provinca Hebei, të identifikuar vetëm përmes mbiemrave Zhang dhe Li, ishin vetëm 13-vjeçarë, kur e bënë planin për ta mbytur shokun e tyre të klasës, Wang, dhe për t’i ndarë mes vete të hollat e tij, raporton televizioni BBC.

Pasi e kishin sulmuar me një lopatë, dy adoleshentët e varrosën të riun në një serrë të braktisur perimesh, tha gjykata në një deklaratë të hënën, duke shtuar se “metodat ishin posaçërisht mizore dhe rrethanat veçanërisht të ulëta”.

Njëri adoleshent u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa tjetri me 12 vjet burgim. Rasti kishte nxitur zemërim të madh publik, kur ishte raportuar së pari.

Viktima ishte bullizuar për kohë të gjatë në shkollë nga tre shokë të klasës, kishin thënë në mars familja dhe avokati, ndërsa të hënën në gjykatë thanë se ai kishte përjetuar konflikt me Zhangun dhe Linë.

Një adoleshent tjetër, që gjithashtu ndodhej në vendin e ngjarjes, i identifikuar me mbiemrin Ma, nuk u dënua, sipas njoftimit të gjykatës.

Vendimi i gjykatës u mirëprit nga përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët kishin qenë duke pritur rreth dënimit që do t’u shqiptohej autorëve të krimit të rëndë. Sidoqoftë, disa prej tyre shprehën pakënaqësi.

“Ai që mori vetëm 12 vjet burgim do të jetë burrë i ri, kur të lirohet. Shpresoj se nuk do të marrë hak ndaj shoqërisë, kur të lirohet” – tha një komentues në rrjetin “Weibo”./Nacionale

Lajme të ngjashme