Kina i ekzekuton sulmuesit masivë të dy rasteve të rënda të vitit të kaluar - NACIONALE

Kina i ekzekuton sulmuesit masivë të dy rasteve të rënda të vitit të kaluar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kina ka ekzekutuar dy burra përgjegjës për dy sulme vdekjeprurëse që kishin ndodhur brenda një jave në nëntorin e vitit të kaluar.

Fan Weiqiu, 62 vjeç, la të vrarë të paktën 35 njerëz e lëndoi dhjetëra të tjerë, pasi e futi veturën në një turmë njerëzish që po bënin ushtrime afër një stadiumi në Zhuhai, në atë që mendohet se është sulmi më vdekjeprurës në territorin e Kinës për një dekadë, raporton televizioni BBC.

Disa ditë më vonë, Xu Jiajin, 21 vjeç, vrau tetë njerëz dhe plagosi 17 të tjerë gjatë një sulmi me thikë në universitetin e tij në qytetin lindor Wuxi.

Autoritetet thanë se sulmuesi me veturë ishte nxitur nga “pakënaqësia” për atë se si ishte ndarë prona e tij pas divorcit me gruan, ndërsa sulmuesi me thikë e kreu aktin pasi “dështoi që ta merrte diplomën për shkak të rezultateve të dobëta në provime”.

Fan ishte ndaluar në vendin e ngjarjes më 11 nëntor, ku ishte gjetur me plagë të vetëshkaktuara.

Në dhjetor, ai ishte shpallur fajtor për “rrezikimin e sigurisë publike". Gjykata e përshkroi motivin e tij si “tepër të ulët”, ndërsa metodat “ve­çanërisht mizore”.

Ekzekutimi i tij të hënën u bë më pak se një muaj pasi gjykata e dënoi me vdekje.

Në rastin e Xu-së, policia tha se ai e rrëfeu krimin “pa ngurrim” më 16 nëntor. Ai ishte dënuar me vdekje më 17 dhjetor.

Kina ka qenë duke u ballafaquar me një varg rastesh të dhunës publike së fundmi. Besohet se shumë sulmues ishin nxitur nga dëshira për “të marrë hak kundër shoqërisë”, kur autorët vënë në shënjestër persona të panjohur për shkak të problemeve të veta.

Numri i sulmeve të tilla në mbarë Kinën arriti në 19 gjatë vitit 2024./Nacionale

Lajme të ngjashme