Kina e kryen testin e parë publik të një rakete balistike ndërkontinentale - NACIONALE

Kina e kryen testin e parë publik të një rakete balistike ndërkontinentale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kina ka pranuar për herë të parë publikisht se ka hedhur me sukses një raketë balistike ndërkontinentale në Oqeanin Paqësor. Ky veprim pritet të shkaktojë shqetësime ndërkombëtare për ndërtimin e forcës bërthamore të fuqisë aziatike.

Raketa balistike ndërkontinentale, që po barte kokë të rreme, u hodh nga Forca Raketore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore në orën 8 e 44 minuta të mëngjesit të së mërkurës sipas zonës kohore të Pekinit dhe “ra në zona të pritshme detare”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës, ku shtohet se ky veprim nuk ishte i drejtuar kundër asnjë shteti apo caku, raporton gazeta “The Guardian”.

Kina i “njoftoi shtetet e përfshira paraprakisht”, sipas një raporti të agjencisë “Xinhua”, ku nuk u qartësua rruga e raketës ose ku saktësisht ra ajo. Hedhja e raketës “në mënyrë efikase e testoi performancën e armëve dhe pajisjeve dhe nivelin e trajnimit të trupave dhe e arriti qëllimin e pritur”, thuhet më tej në raportin e agjencisë kineze të lajmeve.

Një analist i tha agjencisë AFP tha se Kina në mënyrë tipike ka kryer teste të tilla në hapësirën e vet ajrore.

“Kjo është tepër e pazakonshme dhe me gjasë hera e parë në dekada që ne kemi parë një test si ky” – tha Ankit Panda nga “Carnegie Endowment for International Peace”.

“[Testi] me gjasë flet për modernizimin e vazhdueshëm bërthamor të Kinës që manifestohet në kërkesa të reja për testim” – shtoi ai.

Forca Raketore e ushtrisë kineze, që i mbikëqyr raketat konvencionale dhe bërthamore të vendit, është ngarkuar me detyrën e modernizimit të forcave bërthamore të Kinës për të parandaluar zhvillime si mbrojtja e përmirësuar raketore e ShBA-së, kapacitetet më të mira të vëzhgimit dhe aleancat e fuqizuara.

Disa analistë, megjithatë, argumentojnë se ndërtimi i forcave bërthamore të Kinës shkon përtej një force të besueshme minimale të parandalimit.

Lajme të ngjashme