Kina e fillon hapjen e njërës prej vrimave më të thella në botë: Pse?
Kina e ka filluar hapjen e vrimës më të thellë në territorin e saj në përpjekje për t’i studiuar zonat e thella nën sipërfaqen e planetit.
Hapja e vrimës filloi të martën në një shkretëtirë të rajonit veriperëndimor, Xinjiang, sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve, “Xinhua”, përcjell gazeta “The Guardian”.
Planifikohet që vrima të hapet deri në thellësinë e 11 mijë e 100 metrave, duke depërtuar në më shumë se dhjetë shtresa dhe të arrijë në sistemin kretaceoz të kores së Tokës – shtresë gurësh të vjetër 145 milionë vjet.
Pritet që projekti të përfundojë pas 457 ditëve dhe nga mediet shtetërore kineze është vlerësuar si projekt i rëndësishëm në eksplorimin e thellësisë së planetit.
Hapja e kësaj vrime do t’i lejojë shkencëtarët që t’i studiojnë strukturën e brendshme dhe evoluimin e Tokës dhe të ofrojnë të dhëna për hulumtime gjeoshkencore, tha Korporata Kombëtare Kineze e Benzinës, prodhues kryesor i naftës dhe i gazit në vend që e udhëheq projektin.
Wang Chunsheng, ekspert teknik i përfshirë në këtë operacion, e përshkroi projektin si përpjekje të guximshme për ta eksploruar territorin e panjohur të Tokës dhe për t’i zgjeruar kufijtë e njohjeve të njeriut.
Pajisjet për këtë projekt peshojnë më shumë se dy mijë tonë edhe mund t’i rezistojnë temperaturës deri në 200 gradë Celsius dhe presionit atmosferik që është 1.300 herë më i lartë. Sfidë shtesë pritet të jetë edhe sipërfaqja e ashpër në shkretëtirën më të nxehtë dhe më të thatë të Kinës.
Projekti është pjesë e përpjekjeve të Kinës për të eksploruar fronte të reja në hapësirë dhe nën sipërfaqen e Tokës. Më 2021, presidenti kinez, Xi Jinpung, u bëri thirrje shkencëtarëve kryesorë të vendit për të thyer barriera të reja në fusha të ndryshme, përfshirë eksplorimin e thellësisë së Tokës.
