Kina e emëron ministrin e ri të Mbrojtjes dy muaj pas shkarkimit misterioz të paraardhësit
Kina e ka emëruar ish-komandantin e forcave detare, Dong Jun, si ministër të ri të Mbrojtjes, dy muaj pas heqjes së paraardhësit Li Shangfu nga kjo pozitë pa shjpegim pas mungesës së gjatë të tij nga paraqitjet publike.
Organi më i lartë i legjislaturës kineze e njoftoi emërimin e Junit të premten, pas seancës së fundit për këtë vit, raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Xinhua”, përcjell televizioni CNN.
Juni kishte shërbyer si komandant i Forcave Detare të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës nga viti 2021. Emërimi i tij në detyrën e ministrit u jep fund disa muajve me spekulime për atë se kur do ta plotësonte Pekini pozitën e mbetur bosh, pasi i njëjti organ e kishte miratuar largimin e Shangfusë në tetor.
Shangufja, që ishte emëruar ministër i Mbrojtjes në mars, nuk është parë në publik nga fundi i gushtit, duke nxitur spekulime për gjendjen e tij.
Zhdukja dhe shkarkimi i tij kishin ardhur pas një vargu të ndryshimeve të pashpjeguara në rangjet e larta të vendit, përfshirë shkarkimin dramatik të ish-ministrit të Jashtëm, Qin Gang, në korrik, dhe largimin e dy udhëheqësve nga Forca Raketore e ushtrisë, të gjitha pa shpjegime.
Disa javë para zhdukjes së Shangfusë nga paraqitjet publike, presidenti i Kinës, Xi Jinping, i kishte mbledhur udhëheqësit më të lartë ushtarakë në Pekin për një takim, ku ai i kishte theksuar besnikërinë politike, disiplinën dhe “udhëheqësinë absolute” të partisë mbi forcat e armatosura.
Gazeta “The Wall Street Journal” ka raportuar se Shangfuja ishte marrë nga autoritetet në shtator për t’u marrë në pyetje, duke cituar një person të afërt me vendimmarrjen në Pekin.